Lajme

Deputetja e PDK-së paralajmëron padi ndaj bashkëshortit të presidentes Osmani

Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu në foltoren e Kuvendit të Kosovës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu, ka paralajmëruar padi ndaj bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, njofton Shqip.com.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Zejnullahu pretendon se është kërcënuar nga Sadriu, për çka edhe vjen padia ndaj tij.

“I rrethuar nga pushteti, ai ka marr guximin që të kërcënojë deputetë. Këto erdhën pas publikimit të fakteve të jetës luksoze që ai dhe bashkëshortja e tij bëjnë”, ka thënë ajo në foltoren e Kuvendit.

“Ai ndoshta ka menduar që përmes kësaj letre kërcënuese mund të frikësohem dhe të heshti, por i bëj thirrje se keni gabuar adresën. PDK dhe unë do të vazhdojmë të denoncojmë çdo zhvatje të buxhetit të Kosovës. Nga ky Kuvend bëj me dije se menjëherë pas seancës do ta padisë në organet e gjyqësisë për vetëgjyqësinë që ka bërë ndaj meje”, shtoi më tej Zejnullahu.

Ajo thotë se me këtë rast ky pushtet dhe familjarët e tyre po tentojnë të ndalin fjalën e lirë të deputetit.

“Burri i presidentes është duke luajtur edhe rolin e ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Ai së bashku me presidenten Osmani marrin mbi 70 mijë euro paga gjatë vitit. Ky pushtet dhe familjarët e tyre po tentojnë të ndalin fjalën e lirë të deputetit. Marrin para të majme, jetojnë në lagje luksoze dhe kërcënojnë secilin që raporton të bëmat e tyre”, deklaroi Zejnullahu. /Shqip.com