Lajme

Deputetja e PDK-së paditë ministren Haxhiu

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka dorëzuar padi për shpifje ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra ka thënë se pret që deklaratat e ministres Haxhiu në studio televizive të marrin përgjigjen e merituar.

“Shpifjeve të pushtetit i përgjigjemi me padi. Në Gjykatë, sot kam dorëzuar padinë për shpifje ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu – aty ku të pavërtetat e saj në studio televizive pres të marrin përgjigjen e merituar”, ka shkruar ajo.

Tutje, deputetja e PDK-së ka thënë se tendenca për zhvendosje të vëmendjes nga skandalet korruptive me anë të “shpifjeve e fyerjeve” nuk kalon.

“Tendenca që me shpifje dhe fyerje ndaj opozitës me e zhvendosë vëmendjen nga skandalet korruptive të kësaj qeverie, nuk kalon. As nuk frikësohemi e as nuk zmbrapsemi nga angazhimi ynë për të denoncuar krimin dhe korrupsionin e këtij pushteti. Shihemi në gjykatë, ministre”, ka vijuar ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar gjatë mbrëmjes të së mërkurës se Prokuroria Speciale po i “hakmerret” Qeverisë Kurti.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka cilësuar si “tendencioze” deklaratat e ministres.

Me anë të një reagimi, Prokuroria ka deklaruar se deklaratat e ministres Haxhiu “servohen vetëm për nevoja të agjendave ditore politike”.

“Prononcimet e paskrupullta publike të ministres së Drejtësisë, për kinse, mosveprim dhe neglizhencë të PSRK-së ndaj rasteve të ndryshme, demantohen plotësisht nga aktivitetet dhe raportet zyrtare të PSRK-së që pasqyrojnë dhe tregojnë qartazi të kundërtën e asaj që predikon pandalshëm dhe përditë kjo ministre. Në këtë aspekt, theksojmë se deklarimet e tilla burojnë dhe artikulohen nga pasaktësitë maksimale, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë tërësisht tendencioze ndaj kësaj Prokurorie, sepse të thuash se PSRK-ja kontrollon dhe mbikëqyr vendimet e krejt sistemit prokurorial kinse për verifikimin dhe shkeljen e mundshme të ndonjë ligji, vërtet është një nonsens i llojit të veçantë publik, i padëgjuar dhe krejtësisht imagjinar, gjë që na bënë të vijmë në përfundim se deklaratat e tilla ngritën dhe shuhen në kuadër të spekulimeve, sepse servohen vetëm për nevoja të agjendave ditore politike”, thuhet në njoftim.

Krahas kësaj, ministres Haxhiu i është bërë thirrje nga Prokuroria të përmbahet nga deklaratat si ato të cilat Prokuroria i konsideroi si tendencë e saj për të ndërhyrë në punën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, deklaratat e Haxhiut janë në kundërshtim me ligjin.

/Shqip.com