Deputetja e AAK-së: Rrogën e muajit shkurt do ta kaloj tek Fondi për Siguri

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, e ka komentuar veprimin e Kryetarit të Sukarekës, Bali Muharremaj, ku ky i fundit e ka dhuruar rrogën e muajit shkurt për Fondin për Siguri.
Bytyqi ka thënë se ajo çfarë ka filluar Muharremaj është obligim i secilit prej nesh.
“Si deputete e Kuvendit të Kosovës e përgëzoj dhe e mbështes për këtë iniciativë. Prandaj edhe unë, rrogën e muajit shkurt do ta kaloj tek Fondi për Siguri”, ka shkruar Bytyqi.
Ajo ndër të tjera ka thënë se është koha e duhur për të dhënë kontributin tonë!
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmjen e së martës ka bërë të ditur se është themeluar Fondi i Sigurisë në Kosovë.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka autorizuar Ministrin e Financave për themelimin e këtij fondi, duke u bazuar në nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë./Shqip.com