Lajme

Deputeti ukrainas: Nëse Serbia pushton Kosovën, Ukraina duhet t’i mbrojë kosovarët

Deputeti i Ukrainës, Oleksiy Honcharenko

Deputeti ukrainas dhe anëtari i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Oleksiy Goncharenko ka reaguar pas tensioneve në veri të Kosovës.

Përmes një cicërime në Twitter, Goncharenko ka shkruar se Ukraina duhet t’i mbrojë kosovarët “nëse Serbia e pushton Kosovën”.

“Nëse Serbia pushton Kosovën, ne duhet t’ mbrojmë kosovarët. Ukraina është gati të veprojë me trupat tonë në terren. Serbia po përpiqet të nisë një luftë agresive. Pikërisht sipas metodës së Putinit. Siç thashë, Serbia është kali i Trojës i Putinit në Evropë. Lufta kudo në botë është e tmerrshme”, ka shkruar Goncharenko.

Statusi i deputetit, Oleksiy Goncharenko

Më tej ai ka shkruar se Kosova po vjen në realitetin ku Ukraina jeton tash e 5 muaj.

“Realiteti në të cilin jeton gjithë Ukraina për 5 muaj erdhi në Kosovë. Ne e dimë se si është të jetosh kështu. Ne donim që bota t’i ndalonte luftërat, jo t’i fillonte ato. Bota më në fund duhet të kuptojë se Rusia, Putini dhe të gjithë “aleatët” e tyre janë shkaku i konflikteve dhe luftërave”, shkroi Goncharenko.

Statusi i deputetit, Oleksiy Goncharenko

Theksojmë se Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të bllokadave të vendosura.

Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë./Shqip.com