Lajme

Ky është kushti i Kurtit që po kundërshtohet nga BE-ja, sipas deputetit të VV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj

Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj në një intervistë ka foluar për njërin prej gjashtë kushteve që i ka paraqitur kryeministri Kurti, e që po e kundërshton BE-ja.

Sipas tij BE-ja po e kundërshton kushtin e reciprocitetit, që është parashtruar në Kuvendin e Kosovës, javën e kaluar nga kryeministri Kurti.

“VV-ja përballë Serbisë ka vendosur që çështje e reciprocitetit te jetë në dialog. Pra nëse mund të ketë një Asociacion pa kompetenca ekzekutive dhe publike, e njëjta gjë duhet të jetë edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginë.

Nëse 4% e popullatës serbe që jetojnë në Kosovë sot drejton 10 komuna në Kosovë dhe kanë 10 deputetë, ka ligjin e dyfishtë, derisa ka dyfishë më shumë shqiptarë në Luginë dhe ata nuk kanë të drejta në Serbi”, është shprehur Rexhaj në RTV Dukagjini.

Kujtojmë se, në seancën e 2 shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte paraqitur për herë të parë publikisht gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjashtë kushtet e Kurtit:

Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.

Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

/Shqip.com