Lajme

Deputeti i Listës “Guxo” falë ish-kandidatin e LVV-së pasi e shau me nënë: Më lëndoi mua dhe familjen time, por falja është hyjnore

Burim Karameta, deputet i Lëvizjes vetëvendosje nga Lista "Guxo"

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Karameta, ka pranuar kërkim faljen publike të ish-kandidatit për asamblist në Mitrovicë i LVV-së, Hamdi Shartari, pasi që ky i fundit e kishte sharë atë, njofton Shqip.com.

Shartari përmes një lidhje direkte në television, i ka kërkuar falje publike Karametës, teksa ka thënë se ai nuk ka qenë autori i tekstit.

Por, Karameta u shpreh se edhe pse kishte vendosur ta padis Shartarin pasi që kishte lënduar atë dhe familjen e tij, kërkimfalja e bëri që të ndryshojë mendje.

“Falja është hyjnore, e si mos ta falë atë që kërkon falje, kur Krijuesi e do faljen, mbase më shumë se gjëra të tjera. Edhe pse pata thënë që do ta padis personin që më lëndoi mua dhe familjen time, sot dua ta falë, sepse ai kërkoi falje publike për sharjet dhe fyerjet e rënda që m’i bëri mua”, shkroi Karameta në Facebook.

Shartari kishte reaguar ashpër ndaj Karametës pasi që ky i fundit kishte dalë kundër vendimit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me shtesat prej 60 eurosh për stafin mjekësor. /Shqip.com