Lajme

Deputetet thirrje Qeverisë për përfshirjen e grave në procesin e dialogut me Serbinë

Takimi mes Kurtit dhe Vuçiq.

Deputetet e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar më shumë përfshirje të grave në procesin e dialogut me Serbinë, përcjell Shqip.com.

Blerta Deliu – Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se në këtë proces duhet të përfshihen 50 për qind e shoqërisë, që janë edhe gratë.

Ajo shton se gratë tashmë e kanë dëshmuar se mund të jenë pjesë e proceseve të rëndësishme për vendin, me potencialin e treguar në vazhdimësi.

“Absolutisht do të duhej të ishte thirrje për Qeverinë e cila duhet ta shoh këtë proces që edhe 50 përqindëshi i munguar të bëhet pjesë e një mekanizmi të tillë të rëndësishëm po e them kemi potencial, kemi kapacitete të rëndësishme si shtet dhe kemi gra të cilat kanë shënuar suksese në këtë rrugëtim e që do të duhej të ishin pjesë e këtij mekanizmi të rëndësishëm dhe besoj shumë që Qeveria duhet ta merr në konsideratë këtë mungesë, këtë abstenim nga një vlerë e shtuar e Kosovës”, tha ajo për EO.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku – Rexhepi deklaron se qasja e Qeverisë ndaj dialogut është “negative”, sepse nuk ka rezultate sa i përket këtij procesi.

Sipas saj, gratë duhet të përfshihen sa më parë në këtëp roces, sepse “e kryejnë punën me shumë përgjegjësi, korrektësi dhe transparencë”.

“Kjo Qeveri e ka qasjen negative karshi dialogut. Ju po e shihni se asnjë lëvizje pozitive nuk ka të bëjë, asnjë takim konstruktiv apo që jep një rezultat nuk është me dialogun. Sa i përket grave, normalisht që gjithmonë gratë e kanë vendin e merituar dhe duhet të përfshihen edhe në dialog edhe në të gjithë sektorët sepse gratë në përgjithësi e kryejnë punën me shumë përgjegjësi, me korrektësi dhe me transparencë.

Unë nuk kam së paku informata që një grua është akuzuar apo është dënuar për korrupsion sepse gratë janë në përgjithësi më të përgjegjshme”, deklaron Bunjaku-Rexhepi.

Ndërkaq, deputetja tjetër opozitare, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thekson se ka ngecje në dialog, duke potencuar se nuk ka asnjë grua të përfshirë.

“Ne po shohim që kemi ngecje në dialog edhe ky lloj dialogu është stërzgjatë së shumti. Ju e dini që gjatë këtij procesi të dialogut në një periudhë kohore ne e kemi pasur një krye negociatore e cila ka qenë grua dhe që është munduar dhe e ka udhëheq procesin e dialogut ndërsa tash po shohim se procesi i dialogut po udhëhiqet prej kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministri të parë Besnik Bislimi”, shton ajo.

Kadrijaj deklaron se nuk e dijnë se cila është platforma e bisedimeve për dialog, por që “i ofrojnë përkrahje pozitës që këtë proces ta përmbyllë me njohje reciproke”./SHQIP.com