Lajme

Deputetët në Kuvendin e Kosovës diskutojnë rreth pabarazisë gjinore në shoqëri

Kuvendi i Kosovës

Deputetja, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka thënë se më e rëndësishme mbetet përfshirja e grave në sektorin e sigurisë.

Këtë deklaratë, Mehmeti-Selimi e ka bërë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar rreth pabarazisë gjinore të grave në shoqëri.

“Nëse dikur në luftë kishte Xheva e Fatmire, Kosova sot ka plot të tilla që mund t’i shërbejnë vendit tonë ndonëse në kushte dhe rrethana të tjera. E rëndësishme mbetet përfshirja e grave në sektorin e sigurisë në Kosovë, edhe pse në numër shumë të vogël gratë kanë qenë të përfshira në procesin e ndërtimit të sektorit të sigurisë”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, gjatë fjalimit të saj ka përmendur edhe dhunën ndaj grave dhe ngacmimet seksuale në rrugë për çka ka thënë se institucionet e sigurisë dhe gjyqësori duhet të distancohen nga gjuha dhe komunikimi patriarkal.

“Gratë shtatzëna nuk preferohen në vende pune për shkak se duhet pushimi, prandaj në vend të urimit të bëjmë diçka korrekte. Urimi më i mirë është avancimi i barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës duke e respektuar ligjin. Prandaj edhe ne si LDK këtë rezolutë të propozuar do ta përkrahim”, ka thënë Bunjaku.

Albana Bytyqi, deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se në parlament e kemi një përfaqësim të mirë, por sipas saj duhet shumë punë  për të bërë në institucione të tjera.

“Çfarë kemi bërë dhe çka po bëjmë për gratë që kanë mbetur të veja në luftë, si i mbështetëm ato? Çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë për gratë e përdhunuara në luftë e ato të dhunuara e keqtrajtuara pas luftës? Pastaj të mendojmë se çfarë kemi bërë dhe çka po bëjmë për të parandaluar martesat e hershme dhe për të shtyrë gratë të marrin ato që i takojnë nga trashëgimia? Çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë që gratë të jenë më shumë të përfaqësuara në institucione?”, ka pyetur Bytyqi.

Ndërsa, deputetja, Albena Reshitaj, ka thënë se përfundimisht duhet tejkaluar paragjykimet se politika konsiderohet fushë e dedikuar për burrat.

“Nëse analizojmë ndër vite situatën në tri institucionet kryesore politike të vendit, ky konstatim ende qëndron ndonëse në vitet e fundit kemi një progres të lehtë. Që nga viti 2000 në Kuvendin e Kosovës është bërë e mundur një shkallë minimale e përfaqësimit të grave përmes kuotës e cila u rezervon 30% të ulëseve kundrejt burrave. Personalisht mendoj që kjo praktikë duhet të ndryshohet”, deklaroi Reshitaj./Shqip.com