Lajme

Deputetët e Kuvendit vizitojnë ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Ajo që bie në sy, ishte gjendja e mirë shëndetësore

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në Hagë

Anëtarët e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktima të Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione kanë realizuar vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Përmes një njoftimi nga Kuvendi i Kosovës, bëhet e ditur se deputetët kanë takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Deputetët: Duda Balje, Tinka Kurti, Eliza Hoxha dhe Alban Bajrami, u takuan me të paraburgosurit: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Hysni Gucati, Pjetër Shala dhe Nasim Haradinaj”, thuhet në njoftim.

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se anëtarët e komisionit panë për së afërmi gjendjen e të paraburgosurve, çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut dhe ecurinë në vazhdim lidhur me këtë proces.

Në njoftim bëhet e ditur se ajo që bie në sy, ishte gjendja e mirë shëndetësore, fuqia morale dhe vendosmëria që i karakterizon ata, për t’ia dalë mbanë në mbrojtje të kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së dhe të themeleve të shtetësisë së Republikës së Kosovës./Shqip.com