Lajme

Deponia ilegale në Lebanë merr “dhenë”, Ministria e Mjedisit heshtë, Komuna e Prishtinës shqiptoi dhjetëra gjoba

Dponia ilegale në fshatin Lebanë

Në fshatin Lebanë, Komuna e Prishtinës, vazhdon të ekzistojë një deponi ilegale e mbeturinave.

Deponia është saktësisht në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” në magjistralen Podujevë-Prishtinë.

Për këtë çështje, drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi në një përgjigje për SHQIP.com ka thënë se kanë shqiptuar dhjetëra gjoba.

“Përkundër faktit që mirëmbajtja në atë pjesë është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, pas pranimit të shumë ankesave kemi dalë disa herë në vend të ngjarjes dhe kemi shqiptuar me dhjetëra gjoba”, u shpreh ai.

Ndërsa thekson se Komuna e Prishtinës nuk ka kompetenca për të ofruar zgjidhje të përhershme “përgjatë brezit të rrugëve magjistrale – autostradës”.

Në anën tjetër, ka afro një muaj që SHQIP.com ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës rreth kësaj problematike, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të lajmit.

SHQIP.com ka realizuar një video ky shihen pajisje shtëpiake, guaskë tualeti, kafshë të ngordhura, material ndërtimor – e çka jo tjetër.

Sipas të dhënave nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), më 2021 janë regjistruar 1,189 deponi ilegale.

Ndërkaq, për vitin 2020, numri më i madh i deponive gjenden në rajonin e Prishtinës, përkatësisht 277 sosh./Shqip.com