Lajme

Departamenti i Shtetit mirëpret takimin Kurti-Vuçiq, kërkon progres për Asociacionin

Departamenti Amerikan i Shtetit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në lidhje me takimin e djeshëm mes kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në reagimin e tyre, takimi Kurti-Vuçiq cilësohet si një hap i mirë përpara.

Në deklaratën zyrtare të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, thuhet se progresi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e të ardhmes së Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së”, thuhet në deklaratë.

SHBA thotë se ka pasur përparim por mbetet ende punë e vështirë përpara.

“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga DASH.

/Shqip.com