Lajme

Denoncohet Gjergj Dedaj për kërcënim publik ndaj Vjosa Osmanit

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë Veriore, Gjergj Dedaj, është denoncuar nga presidentja, Vjosa Osmani, për kërcënim publik.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, i cili bëri të ditur se denoncimi është bërë për shkak të kërcënimit të jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes dhe familjes së saj.

Lexo edhe:
Këshilltari i Presidentes paralajmëron denoncim ndaj Dedajt: Me deklaratat e tij kërcënoi atë dhe familjen e saj

“Siç kemi paralajmëruar z.Gjergj Dedaj është denoncuar te organet e rendit për kërcënim publik kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj”, tha Kupina.

Ish-ambasadori kishte deklaruar të hënën duke thënë se “Klani i Osmanit” po e linçon dhe se do të përdorë “Kanunin për t’u mbrojtur”.

Dedaj kishte thënë se Osmani është njeri i ligjit, por tutje theksoi se përveç ligjit, te ai dhe familja e tij që vjen nga Malësia e Gjakovës, vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit./SHQIP.com