Lajme

Dënohet me burgim të përjetshëm burri që vrau vëllain dhe më pas ia dogji trupin në Rahovec

Është dënuar me burgim të përjetshëm G.K i cili akuzohej për vrasjen e vëllait të tij, B.K në vitin 2020 në Bërnjak të Komunës së Rahovecit.

Sipas Gjykatës Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se sipas aktakuzës së prokurorisë G.K akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit G.K., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për dy vepra penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e GjTHGj-së.

G.K thuhet se ka vrarë vëllain e tij për shkak të konflikteve që kishin lidhur me një pronë dhe pas vrasjes e ka djegur trupin e të vëllait.

“Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, Drilon Haraçia, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burgim të përjetshëm. I pandehuri G.K., akuzohet se me datën 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, për shkak të konflikteve që kishin mes tyre lidhur me pronën, i akuzuari G.K., me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B.K., ku me pas e ka djegur trupin e të ndjerit dhe mbetjet i ka hedhur në një vend deri tani të pa identifikuar, me qëllim për ti zhdukur gjurmët e krimit”.

Sipas Gjykatës, personi në fjalë ishte i dënuar edhe për vrasjen e bashkëshortes së tij nga Gjykata e Lozanës në Zvicër.

/Shqip.com