Lajme

Dënimi i Pal Lekajt për 53 milionëshin, reagon Durmishi

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi

Një ditë pasi ish-Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, u dënua me 3 vjet e tetë muaj burgim lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për Bechtel Enkan për Autosradën “Arbën Xhaferi”, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka dalë me një reagim.

Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për 53 milionë euro, por për 97 milionë. Sipas tij, “Bechtel Enka” është paguar edhe me një shumë tjetër në vlerë 44 milion euro.

“Nuk bëhet fjalë për 53 milion por për 97 milion euro. Përveq 53 milion euro Bechtel Enka është paguar edhe me një shumë tjetër në vlerë 44 milion euro. Edhe pse kontrata ka qenë “llamsam” (me qelësa në dorë) dhe me këtë lloj kontrate nuk lejohen punët shtesë, pa asnjë procedurë të prokurimit Bechtel Enka-s i janë paguar edhe 44 milion euro shtesë’, ka shkruar Durmishi.

Lekaj është dënuar dje me 3 vjet e tetë muaj burgim efektiv për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.

Dënimi i është shqiptuar lidhur me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’. Atij i është shqiptuar edhe dënim plotësues, që i ndalon ushtrimin e funksionit në administratë për 3 vjet e gjashtë muaj.

“I akuzuari P.L është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e tetë (8), muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë si dhe i është caktuar dënim plotësues ashtu që të pandehurit P.L i ndalohet për tre (3) vite e gjashtë (6) muaj ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike, pas mbajtjes së dënimit me burgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Mbrojtja e Lekajt e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës. Avokati Musa Damati ka thënë se do ta apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Shkallës së Dytë.

“Për arsye se provat gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kanë qenë të panumërta në drejtim të sqarimit të kronologjisë dhe implikimeve buxhetore që ka pasur ky projekt kapital për vendin… ne si mbrojtje nuk mund ta konsiderojmë ndryshe vendimin e Shkallës së Parë veçse skandaloz dhe bindja jonë është se do të pasojë ndryshime në favorin e klientit tonë”, ka deklaruar Damati.

Pasi iu shqiptua dënimi Lekaj reagoi duke paralajmëruar se do të ankohet ndërsa u kërkoi kundërshtarëve politike që të mos gëzohen para kohe.

“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje. E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi” ka thënë ai.

“Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL. Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë. I bindur në pafaësinë time dhe në drejtësi” ka shtuar Lekaj.

Bashkë me Lekajn janë dënuar edhe tre ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës. Ish-Sekretari i Ministrisë, Nebih Shatri është dënuar me një vit e tetë muaj burgim, ish-Shefi i Prokurimit, Besim Tahiri me një vit e tetë muaj burgim, derisa ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha është dënuar me tri vjet e tre muaj burgim.

Të katër ish-zyrtarët dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të qëllimshëm të buxhetit të shtetit.

Për çka i akuzonte Prokuroria Speciale?

Aktakuza ndaj Lekajt dhe të tjerëve ishte ngritur më 4 shkurt të vitit 2022, nga Prokuroria Speciale. Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me datë 29 shtator të vitit 2017.

Sipas prokurorisë, keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

Në aktin akuzues që kishte publikuar “Betimi për Drejtësi” thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.

Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Tutje thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, e njëjta është aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”, me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

/Shqip.com