Demi pas publikimeve të Shqip.com: Si arritën këta injorantë me qëllime të ulëta në majën e shtetit?
Aktivisti i shoqërisë civile, Agron Demi, i cili është edhe drejtor i Institutit GAP, ka reaguar pas publikimit të përgjimeve të SHQIP.com.
Ai thotë se ato të cilat dëgjohen në Dosjen “Inteligjenca e Zhvatjes”, tregojnë se logjika e funksionimit dhe qëllimit të krijimit të shumë portaleve mediatike, është për t’i përdorur ato si mjet shantazhi.
“Fatkeqësisht, kjo është logjika e funksionimit dhe qëllimi i krijimit të shumë portaleve mediatike, të cilat ma shumë se media, janë mjet shantazhi”, thotë Demi.
Me anë të një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, Demi i quan injorantë me qëllime të ulëta – disa persona të cilët përmes shantazhimit arrijnë deri te pozitat më të larta shtetërore.
“Kur i ndëgjon këto përgjime, prej Prontos e deri tash, nuk mundesh mos me pyet se si këta injoranta, me qëllime të ulëta, mbërrijtën deri tek pozitat më të larta shtetërore? Apo, ndoshta pa qenë pak injorant e me kaq vetëbesim, nuk mundesh me mbërri në ato pozita?”, ka pyetur më tej Demi.
Përgjimet e publikuara nga Shqip.com shpërfaqin keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe plane për shantazh të personave me pozicione të larta në hierarkinë shtetërore.
Deri më tani janë publikuar disa përgjime, duke përfshirë pjesën e parë të bisedës së drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, si dhe ato të prokurores së krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani. /Shqip.com