Lajme

Deliu për Kurteshin: Gjuha e tij në KQZ për keqardhje

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

“Për keqardhje” i ka cilësuar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, akuzat e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i cili deklaroi se PDK-ja dhe Lidhja Demokratike të Kosovës kanë “vjedhur vota”.

“Zgjedhjet lokale u vlerësuan si shembullore nga mekanizmat relevante ndërkombëtare dhe vëzhguesit evropian”, ka shkruar Deliu në Facebook.

Sipas saj, tentimet për njollosjen e procesit zgjedhor janë shqetësuese.

“Mendësia se zgjedhjet janë të rregullta e te mira vetëm kur fiton partia të cilën ti e përfaqëson, është mendësi e rrezikshme dhe totalitare”, vazhdoi deputetja e PDK-së.

Ajo shtoi se “kjo mendësi e njëson partinë me shtetin”.

Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit arriti të fitojë katër komuna pa balotazh.

Por, disa ditë më pas, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa e dërgoi Hanin e Elezit në rivotim.

Kjo nënkupton që subjekti politik i drejtuar nga Memli Krasniqi, deri më tash ka siguruar qeverisjen në Mitrovicë, Ferizaj dhe Skenderaj.

Për këtë të fundit, kryetari aktual, Bekim Jashari, ka dërguar disa ankesa në PZAP.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa

Ai pretendon se në Skenderaj “ka pasur vjedhje votash”.

Por, ankesat nuk janë aprovuar – kështu Skenderajn nuk do ta përcjellë fati i Hanit të Elezit.

Megjithatë, vëmendja e PDK-së tash është në Prizren – aty ku synon ta rikthejë “Jerusalemin e saj”, siç kjo parti e ka cilësuar këtë qytet.

Mirëpo, për ta arritur këtë duhet të përmbyset Lëvizja Vetëvendosje e cila në Prizren doli e para.

Balotazh zhvillohet më 14 nëntor. /Shqip.com