Lajme

Deliu: E papranueshme heshtja e presidentes Osmani për dështimin e miratimit të Kodit Civil

Deputetja e PDK-së, Blerta Delu

“E pakuptueshme dhe e pashpjegueshme mbetet heshtja e presidentes, Osmani lidhur me Projekt-Kodin Civil”.

Kështu është shprehur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se kjo është mungesë guximi nga ana e saj.

“Mungesa e guximit minimal për t’u deklaruar për çështjet që kërkojnë përfshirjen e saj si përfaqësuese e unitetit të popullit, e mbi të gjitha si një grua – kur bëhet fjalë, si në rastin konkret- lidhur me Projekt-Kodin Civil, i cili rregullon çështjet familjare, trashëgimore e veçanërisht, rolin e gruas në këto marrëdhënie”.

Ajo tha se pozita  që mban Osmani nuk i toleron kalkulimin personal mbi interesin e përgjithshëm.

“Presidentja po e ridëshmon për të satën herë radhazi se ka deficit të theksuar të lidershipit dhe është e gatshme ti qëndroj besnike e madje ti nënshtrohet kryeministrit, pa tentuar asnjëherë të kundërbalancoj politikat e qeverisë, veçmas kur ato nuk përfillin koncensusin dhe kompromisin e nevojshëm politik”.

Tutje, Deliu-Kodra tha se Qeveria ka dështuar që ti sigurojë votat e veta për të miratuar këtë ligj.

Lexo edhe:
Nuk kalon Projektkodi Civil që rregullon bashkëjetesën mes personave të gjinisë së njëjtë

“Qeveria e arrogancës së numrave dështoi të sigurojë votat në radhët e veta për të miratuar Kodin Civil, i cili përveç tjerash, parasheh edhe përmirësimin e bazës ligjore të të drejtës së grave në trashëgimi”.

Ndryshe, të mërkurën nuk ka kaluar Projekt Kodi i ri Civil përmes së cilit parashihej të lejohej bashkëjetesa mes gjinive të njëjta.

Pas shumë debateve rreth këtij projektkodi, 29 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan kundër, kështu duke shënuar mazhorancën.

Ndërsa 28 të tjerë ishin pro, kurse 4 deputetë abstenuan./SHQIP.com