Lajme

Deliu-Bislimit: 800 milionë euro po rrinë në Qeveri, sektorin privat e keni lënë pas asnjë mbështetje

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi gjatë ditës së sotme ka raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog.

Mirëpo raportimi i tij nuk ka kaluar pa përplasje me deputetët e opozitës.

Anëtarja e këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës për punëtorët e sektorit privat.

Sipas Deliut kjo Qeveri I ka lënë punëtorët e sektorit privat në gjendje të rëndë.

““Keni 800 milionë euro që po ju rrinë në Qeveri. Sot e kemi sektorin privat që nuk ka asnjë mbështetje prej Qeverisë. I keni lënë mësimdhënësit pa bukë. Kot juve ju dëgjoj duke më lexuar statistika e norma që ky mekanizëm është zbatuar. Nuk jemi në gjendje të mirë”, ka thënë ajo.

Ndërsa në fjalën e tij, Bislimi ka kërkuar që arsimtari të mos vendoset në nivelin social

“Mos e zhvendosni arsimtarin në nivel social, kanë me ble turshi s’kanë me ble. Ajo është sociale”, u shpreh Bislimi.

Po ashtu në disa momente debati është zhvendosur dhe deputetët e opozitës e kanë akuzuar partinë e Bislimit, për videon e postuar para dy ditëve, ku ekspozoheshin figurat kyqe të partive që kanë udhëhequr me Kosovën për 20 vite.

Më e zëshme ishte deputetja tjetër e opozitës, Time Kadrijaj, që tha se videot poshtëruese po i detyrojnë ata që të lëshojnë seancat plenare dhe të mos votojnë ligjet e propozuara.

Vetëvendosje, përmes faqes zyrtare në rrjetin Facebook, para 2 ditëve e kishte postuar një video, që akuzonte figurat si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e të tjerë, për shkatërrimin e shtetit për 20 vite.

/Shqip.com