Kulturë

Delegacioni nga Spanja viziton Kosovën si pjesë e Manifestës, diskutohet shkëmbimi i artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës

Një delegacion nga Spanja ka vizituar Kosovën si nikoqire e sivjetme e Manifestës.

Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka pritur në takim delegacionin e përbërë nga Jordi Marti, nënkryetar për kulturë i komunës së Barcelonës, Eva Soria Puig, drejtoreshë në Institutin e Kulturës të Barcelonës, dhe Marta Clari, gjithashtu drejtore në komunën e Barcelonës, u njoftuan më shumë me skenën kulturore të Kosovës.

Sipas njoftimit të MKRS-së, në takim u diskutuan mundësitë e shkëmbimit të artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës, bashkëpunimit të institucioneve lokale dhe qendrore të të dyja vendeve.

“Ministri Çeku e njoftoi delegacionin më shumë me të arriturat e kulturës në Kosovë, me skenën e bujshme të artit bashkëkohor, sukseset ndërkombëtare të muzikantëve kosovar, dhe për industrinë shumë të suksesshme të filmit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, u diskutua edhe për përvojat e organizimit të Manifesta 14 Prishtina në ndihmë të organizimit të Manifesta 15 Barcelona, e cila do të mbahet në vitin 2024 në Barcelonë, ndërsa ftuan ministrin Çeku për të vizituar edicionin e ardhshëm të Manifesta.

“Manifesta 14 Prishtina”, do të zgjasë deri në nëntor të këtij viti.

Programi 100 ditor i Manifestës, me pjesëmarrës nga Kosova e vende të rajonit, do të paraqesë veprat artistike në plot 25 hapësira të ndryshme në Prishtinë