Lajme

Deklaroi se përdori aplikacionin ‘Sky Ecc’, efektivi përjashtohet nga Garda e Republikës

Një efektiv i Gardës së Republikës është përjashtuar nga radhët e institucionit pasi ka deklaruar se ka përdorur aplikacionin e enkriptuar ‘SKY ECC’.

Burimet bëjnë me dije se agjencia e mbikqyrjes policore po shikon mundësine e një formulari tjetër që do t’i dërgohet subjekteve vetëdeklarues, për aplikacione të tjera që mesa duket nuk janë përdorur vetëm nga krimi.

Formulari për vetdeklarimin e përdorimit të aplikacioneve të enkriptuara SKY ECC dhe ENCRO CHAT, “djeg” zyrtarin e parë.

Nga rreth 13 mijë subjekte të agjencisë së mbikqyrjes policore në rradhët e uniformave blu, Gardës së Republikës dhe shërbimit zjarrfikës, vetëm 1 deklarues ka pranuar se ka përdorur një aplikacion të enkriptuar.

Bëhet fjalë për një efektiv të Gardës së Republikës ndaj të cilit është marrë menjëherë masa e perjashtimit nga institucioni që ka për mision sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore dhe ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë.

Dosjet nën hetim të SPAK, ku rezulton se në fraksionet e hetimit për SKY ECC rezultojnë të implikuar 1 ose 2 punonjës policie ka bërë që AMP të shikojë mundësinë e dërgimit të një formulari shtesë me aplikacione të tjera që janë përdorur për qëllime të paligjshme.

Një ndër to është edhe aplikacioni “Matrix ” mbi të cilin, bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani ka rrëfyer se ka përdorur për një periudhë të gjatë për të komunikuar në mënyrë të sigurtë për qëllime kriminale.

/Shqip.com