Lajme

Deklarohet Prokuroria lidhur me dy vrasjet që tronditën mbrëmë vendin

Prokuroria Themelore e Prishtinës
Prokuroria Themelore e Prishtinës

Prokuroria Themelore e Prishtinës është deklaruar lidhur me dy vrasjet që ndodhën mbrëmë në kryeqytet. Për rastin ku e vrarë mbeti gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-Presidentit Behgjet Pacolli, Prokuroria thotë se po angazhohen në ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit, duke mos treguar nëse është identifikuar i dyshuari. Ndërsa për rastin ku dyshohet se dhëndri vrau vjehrrin, Prokuroria ka treguar se vrasja dyshohet se është kryer me thikë dhe se i dyshuari është identifikuar por se ndodhet në arrati.

Kosova është tronditur mbrëmë nga dy vrasje, që kanë ndodhur në orët e mbrëmjes në Prishtinë.

Rasti i parë ka ndodhur në rrugën “Dalip Alshiq” në Prishtinë, rreth orës 20:26, ku është vrarë gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit Behgjet Pacolli.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur  i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri. Ky rast është kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”.

Lexo edhe:
Policia jep detaje nga vrasja e një gruaje mbrëmjen e djeshme

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë  29.11.2023 –20:26.  Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja  e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Gazeta Express ka pyetur Prokurorinë Themelore të Prishtinës nëse është identifikuar i dyshuari, por nga ky institucion s’janë përgjigjur në këtë pyetje.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë vetëm se Prokurori i Shtetit në koordinim me njësitë relevante janë të angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Ulaj ka thënë se nga informatat e deri tanishme dyshohet për “grabitje me pasoja vdekjeje”.

“Lidhur me rastin i cili ka ndodhur në Rr. “Dalip Alshiqi” Prishtinë, ju njoftojmë se nga informatat e deri tanishme dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje, ku nga nata kritike e në vazhdim, Prokurori i Shtetit në koordinim me njësitë relevante janë të angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti. Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Ulaj për Express.

Vrasja tjetër ka ndodhur rreth një orë më vonë, në rrugën “Ali Vitia”, ku dhëndrri dyshohet se ka vrarë me thikë babain e gruas së tij.

“VRASJE – Rr. Ali Vitia, Prishtinë  29.11.2023 – 21:30.   Dyshohet se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar-therur me thikë  babanë  e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka ndërruar jetë në  QKUK, vdekjen e të cilit  e ka konfirmuar mjeku. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, theksohet në raport.

Lidhur me këtë rast, Ulaj ka sqaruar se i dyshuari është identifikuar, por se ende ndodhet në arrati.

“Ndërsa, për rastin i cili ka ndodhur në Rr. “Ali Vitia” Prishtinë, dyshohet se një person ka privuar nga jeta viktimën (mashkull), me mjet të mprehtë-thikë. Viktima është dërguar në IML, me urdhër të prokurorit, ndërkaq rasti është iniciuar “Vrasje”. Veprimet hetimore po vazhdojnë të ndërmerren karshi këtij rasti dhe personi i dyshuar është identifikuar, mirëpo aktualisht ndodhet në arrati”, thuhet në përgjigjen e saj.

/Shqip.com