Lajme

Deklarohet e pafajshme noterja që akuzohet për tjetërsim prone

Noterja Valbona Murtezi-Bytyqi, është deklaruar e pafajshme në lidhje me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare rreth shitblerjes së një lokali në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Të pafajshëm u deklaruan edhe dy të akuzuarit se i ndihmuan asaj në kryerjen e veprës penale, Agim Spahiu e Bekim Maloku, të hënën.

Murtezi-Bytyqi po akuzohet se në cilësinë e noteres në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar një aneks-kontratë, duke ndryshuar bashkë-blerësit e lokalit, ndërsa Spahiu e Maloku akuzohen se kanë ndihmuar të njëjtën në kryerjen e veprës penale.

“Nuk e ndjej veten fajtore për veprën penale për të cilën ngarkohem sipas aktakuzës”, tha e akuzuara Murtezi-Bytyqi.

Procesverbali i shqyrtimit fillestar në rastin e noteres Valbona Murtezi-Bytyqi

Ndërsa, dy të akuzuarit e tjerë Spahiu e Maloku deklaruan se ndihen plotësisht të pafajshëm.

Kujtojmë që, më 20 korrik të vitit 2022, Shqip.com ka raportuar për rastin në fjalë, ku noterja Valbona Murtezi Bytyqi kishte vërtetuar tjetërsimin e pronës përmes një aneks kontrate joligjore.

Deri me 15 shkurt, lokali në vlerë të 500 mijë eurove, ishte bashkëpronësi e Alidemës me Bekim Malokun.
Por, me këtë datë pa dijeninë e Alidemës, pjesa e tij i kaloi një personi tjetër, Agim Spahiut.

Gjithë kjo, u bë përmes një aneks kontrate të përpiluar nga noterja Murtezi Bytyqi, të nënshkruar nga pronarët e vjetër, Lulzim dhe Aida Qerkini, Maloku si bashkëpronar, dhe Spahiu si pronar në vend të Alidemës.

Në aneks kontratën e përpiluar nga noterja Murtezi Bytyqi dhe nënshkruar nga palët e tjera, thuhet se palët deklarojnë se Alidema ishte pajtuar për shitjen. Megjithatë, në asnjërën pjesën nuk ka deklaratë të tij e as nënshkrim.

/Shqip.com