Lajme

Deklarohen të pafajshëm tre të akuzuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, tre të akuzuarit Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për vrajsen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sahide Gashi.

Tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, “Shtytje në vrasje të rëndë” dhe armëmbajtje pa leje.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, njoftoi palët për kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës atë në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, seanca fillestare e paraparë të mbahej më 24 maj 2023 ishte ndërprerë për shkak se mbrojtësit e të akuzuarve u deklaruan se nuk i posedojnë të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në Polici dhe Prokurori. Kurse, për të njëjtën arsye ishte anuluar edhe seanca e paraparë të mbahej më 6 qershor 2023.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 maj 2023, në një konferencë për medie, ka bërë të ditur që lidhur me vrasjen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, është ngritur aktakuzë ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetajt për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe ndaj Halil Mehmetajt për “Shtytje në kryerje të veprës penale vrasje e rëndë”.

Dy nga të vdekurit ishin nxënës, ndërsa personi tretë ishte drejtuesi i autobusit. Dy javë pas rastit, ishin arrestuar fillimisht tre të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë, ndërsa më 5 shkurt të këtij viti ishte prangosur edhe i dyshuari i katërt.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 12 dhjetor 2021, kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Në këtë vendim, thuhej se gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, atë të vrasjes së rëndë dhe të armëmbajtjes pa leje.

Sipas arsyetimit të gjykatës, ekziston rreziku që të dyshuarit të arratisen, të ndikojnë te dëshmitarët apo te të dëmtuarit, të fshehin provat ose të bashkërendojnë mbrojtjen për të pamundësuar zbardhjen e rastit. /Betimi për Drejtësi/

/Shqip.com