Deklarohen të pafajshëm 12 zyrtarët policorë dhe 2 doganierët e akuzuar për ryshfet
12 zyrtarët policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Qafë Prush: Artan Thaqi, Agron Bejtullahu, Afrim Deda, Avdi Përolli, Benon Këpuska, Isa Ibrahimi, Kreshnik Arllati, Malë Berisha, Mehmet Manxhuka, Sami Hajdari, Shaqir Krasniqi dhe Uran Mati, si dhe dy doganierët Enis Turtulla dhe Senad Zherka, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat për marrje ryshfeti.
Deklarimin rreth fajësisë, 14 të akuzuarit e bënë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Habibe Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Lutfi Shala njoftoi palët se kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për hudhjen të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në afat prej 30 ditësh.
Në aktakuzën e cila është ngritur më 26 dhjetor 2023, thuhet se nga muaji gusht deri në dhjetor të vitit 2021, në pikën kufitare Qafë Prush, të akuzuarit e lartpërmendur në cilësi të personave zyrtarë, kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin duke marrë ryshfet shuma të ndryshme parash.
Sipas akuzës, të akuzuarit-zyrtarët policorë u kishin mundësuar qytetarëve hyrje-daljen në pikën kufitare të lartcekur, pa iu nënshtruar fare procedurave ligjore në fuqi në kundërshtim me kushtet për hyrjen në Kosovë që lidheshin me masat kundër pandemisë COVID-19.
Ndërsa, dy doganierët Zherka dhe Trutulla, ngarkohen se me qëllim të përftimit të kundërligjshëm kishin vepruar në kundërshtim me Kodin Doganor dhe Akcizave të Kosovës, duke lejuar hyrjen mallrave të ndryshme pa iu nënshtruar mbikëqyrjes doganore.
Me këto veprime, 14 të akuzuarit po ngarkohen se kanë kryer veprën penale në vazhdim “Marrje Ryshfeti” në bashkëkryerje nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 paragrafi 1, paragrafi 1.2, 1.3, 1.4, 1.5 dhe paragrafi 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
/Shqip.com