Lajme

Deklarohen sërish të pafajshëm Frashër Krasniqi dhe aktivistët e VV-së për sulmin në Kuvend

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për sulmin në Kuvend.

Mirëpo, të martën pafajësinë ata e deklaruan para një trupi tjetër gjykues.

Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, katër të akuzuarit po dyshohen nga Prokuroria Speciale si përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores speciale Fikrije Fejzullahu, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Këtë rast fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetorit 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 27 nëntor të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim.

Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim. /Shqip.com