Sport Ndërkombëtar

Deklarata emocionuese e trajnerit të Argjentinës pas fitimit të Botërorit

Kombëtarja e Argjentinës është shpallur kampione e botës pas një finale dramatike dhe spektakolare në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Në ndeshjen që u zhvillua në “Lusail Iconic Stadium”, Argjentina arriti ta mposhtë kampionin në fuqi, Francën, vetëm pas penalltive, për ta fituar titullin e kampionit të botës.

Gjegjësisht, argjentinasit u shpallën kampionë të botës pas fitores 4:2 në penallti.

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni pas ndeshjes ka thënë se ky është moment historik.

“Dua t’u them njerëzve të kënaqen sepse ky është një moment historik”, ka thënë Scaloni, njofton faqja zyrtare e FF të Argjentinës.

“Jam krenar. Jam më pak i emocionuar se ditët e tjera por sot jam i lirë. Kjo skuadër më bën vetëm krenarë, është e gjitha e tyre”, ka deklaruar ai.

Ky është trofeu i tretë i Kupës së Botës në histori për Argjentinën, ndërsa i pari për shtatë herë fituesin e “Topit të Artë”, Lionel Messin.

/Shqip.com