Lajme Ballkan

Deklarata e Macron për pezullimin e vizave, Berisha dhe Basha: Duhet sanksionuar Serbia dhe jo Kosova

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi pas njoftimit të Presidentit të Francës Macron se kishte pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas Berishës, në fakt është Serbia ajo që duhej sanksionuar dhe jo Kosova. “Prisja që Presidenti i nderuar francez të njoftonte sanksione ndaj Serbisë, por politika e sanksionimit të viktimës nuk mendoj se është një politikë që mund t’i shërbejë avancimit të problemit.

Sanksione, ai që kryen një agresion, ai që kryen akt terrorist, stërvit terroristë, i pajis me mjete ushtarake dhe shpall zi. Nëse duam të zgjidhim problemin i vlerësojmë gjërat me objektivitet.

Macron ka pasur një problem me vizat që para 3 vitesh, problemi ishte krimi i organizuar shqiptar, por e siguroj se ka vetëm një kokë “Meduze”, që është Rama. Kosova ka një kriminalitet shumë herë më të ulët se Shqipëria” tha Berisha.
Lidhur me deklarata e Presidentit Emanuel Macron për pezullimin e regjimit të vizave për Kosovën, në rast se kjo e fundit nuk pranon uljen ne tryezen e dialogut dhe planin frako-gjerman, ka reaguar edhe kryedemokrati Lulzim Basha.

Sipas Bashës, penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog.

Sipas tij, Europa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur s’ka ndodhur asgjë më 24 shtator, dhe të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë.
“Penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog e as për ti dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë.

Europa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur me 24 shtator dhe as të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë, presidenti i të cilës sfidon hapur, duke refuzuar sanksionet ndaj Rusisë dhe duke u shfaqur në krah të Vladimir Putin.

Skenarët për destabilizimin e gjithë rajonit janë para syve të çdokujt, ndaj është i domosdoshëmi angazhim maksimal Euro-Atlantik në dialogun Kosovë-Serbi, për zbatimin e planit Franko-Gjerman dhe përmbylljen me një marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke.

/Shqip.com