Lajme

Dega “Gjuhë dhe letërsi shqipe”, në prag të shuarjes

Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë
Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë

Vetëm 19 studentë u pranuan vitin e kaluar në Degën ‘’Letërsi Shqipe’’ në Fakultetin Filologjik.

Por këtë vit, në këtë Katedër të Universitetit të Prishtinës aplikuan vetëm gjashtë veta.

Si rrjedhojë, sipas profesorëve të kësaj dege, po rrezikohet edhe mbyllja e përhershme e këtij programi.

E për këtë, ata kërkojnë një intervenim shtetëror.

“Fatkeqësisht po, por shteti duhet me i subvencionu drejtimet e rrezikuara qysh ish desht me u subvencionu shkencat të cilat janë të vështira për t’u studiu, por janë shumë të rëndësishme. Në këtë grup ndoshta do duhej me i futë edhe letërsinë shqipe, ndoshta edhe gjuhën shqipe e ndoshta edhe ndonjë drejtim tjetër i cili është i rëndësisë vitale për shtetin, për kombin në mënyrë që të mos shuhet nën presionin e drejtimeve fashioniste”, deklaroi Rrahman Paçarizi.

Ndërsa sipas ekspertëve të arsimit, për gjendjen aktuale të këtij profili studimor po ndikojnë disa faktorë.

“Në mesin e tyre një mos promovim i vet programit nga ana e fakultetit, një mos prezencë e letërsisë në shkollat e mesme të larta, gjitha këto së bashku padyshim që e bëjnë më të reduktuar interesimin e të rinjve për programin e gjuhës shqipe”, theksoi Rinor Qehaja, nga Instituti Edguard.

Por përveç këtyre, sipas albanologëve mundësia e punësimit për këtë kategori është shumë e kufizuar.

“Përveç fushës së arsimit, ndonjë pozitë në administratën publike, ndonjë redaktor, lektor qoftë në media qoftë në shtëpi botuese etj., përgjithësisht mund të them që mundësitë e punësimit me profilin e gjuhës dhe letërsisë shqipe janë të kufizuara, madje janë jashtëzakonisht të kufizuara”, theksoi Sejdi Gashi nga Instituti Albanologjik, raporton TëVë1.

E megjithëse në Kosovë ka rënë interesimi i të rinjve për studim të Albanologjisë në përgjithësi, jashtë vendit ka kërkesa dhe madje nxitje për ta studiuar këtë profil studimor.

Ndryshe, Gjuha Shqipe tashmë po ofrohet nga katedra të ndryshme në Evropë, Rusi dhe Kinë.

/Shqip.com