Dega e VV-së në Prishtinë i ofron përkrahje Arben Vitisë në garën për kryeqytetin

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë edhe zyrtarisht i ka dhënë mbështetje Arben Vitisë në garën për kryeqytetin.
Mbledhja është mbajtur të premten pasdite dhe Shqip.com ka raportuar për kandidaturën e tij.
Në kumtesën e VV-së në Prishtinë, të shtunën thuhet se Vitia është votuar me shumicë votash në këtë degë.
“Në bazë të statutit tonë, delegatët votuan edhe gjysmën e kandidatëve për asamble në listën tonë, listë e cila e plotë do të publikohet në fillim të javës”, thuhet në njoftim.
Vitia pos kryetar i degës së VV-së në Prishtinë, është edhe ministër i Shëndetësisë.
Mbi këtë arsye, kandidatura e tij po kundërshtohet nga opozita, duke thënë se “Vitia po i braktisë qytetarët në kohë pandemie”.
Gjatë tri ditëve të fundit, Kosova ka shënuar shifra katër-shifrore të infeksioneve COVID-19.
Por, Vitia do të garojë në zgjedhjet e 17 tetorit.
Aty do të ketë rivalitet me Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Uran Ismailin e PDK-së.
Po ashtu në garë është edhe Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Selim Pacolli i Aleancës Kosova e Re. /Shqip.com