Lajme

Debati me dyer të mbyllura, Berisha kërkon protestë para Kuvendit, e kundërshtojnë Bardhi dhe Noka

Duke qenë se mazhoranca socialiste ka paralajmëruar që në seancën plenare të së enjtes enjten të miratojë ndryshimet e fundit të Rregullores së Kuvendit që parashikojnë ahspërsimin e masave ndaj deputetëve rebelë, dhe që u miratua në mënyrë të njëanshme nga PS, ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar në mbledhjen e së martës së grupit parlamentar se ajo ditë duhet të jetë pikërisht kulmi i protestës së opozitës duke thirrur edhe popullin në protestë para Kuvendit!

Por, duke qenë se pak para mbledhjes së grupit parlamentar të opozitës, SPAK kërkoi zyrtarisht nga Kuvendi autorizimin për të arrestuar Sali Berishën, ideja e protestës së të enjtes është kundërshtuar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i cili është shprehur kundër.

Kjo pasi sipas tij, ende nuk ka ardhur pika kulmore e aksionit opozitar, dhe së dyti gjithçka mund të keqkuptohet në këtë moment.

“Çdo protestë qytetare në këtë moment do të keqinterpretohet nga opinioni publik dhe se nuk mund të konfondohen betejat e opozitës me akte momentale. Strategjia e opozitës nuk duhet të ndikohet nga ngjarje rastësore”, mësohet të jetë shprehur Gazment Bardhi në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Por vetë Sali Berisha mësohet se është shprehur se nuk dëshiron që ta çojë opozitën në një protestë, e cila të ngjajë sikur po bëhet për të, duke thënë se nuk e do një protestë të tillë.

Edhe deputeti Flamur Noka, i cili është i renditur krah Sali Berishës dhe është Sekretar i Përgjithshëm në Grupimin e Rithemelimit ka qenë kundër organizimit të një proteste ditën e enjte, duke mbështetur argumentet e Gazment Bardhit.

Pas një diskutimi të gjatë deputetët e opozitës randë dakord që të enjten të mos ketë protestë, por të vijohet me aksionin opozitar brenda ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.

/Shqip.com