Lajme

DEBATET E PLOTA/ Përplasje në mbledhjen Bardhi-Rithemelimi, çfarë u diskutua në takimin me dyer të mbyllura

Grupi i deputetëve të opozitës u mblodh fundjavën që kaloi për të diskutuar në lidhje me aksionin opozitar. Nuk kanë munguar as debatet mes ligjvënësve demokratë. Gazment Bardhi i cili drejtonte mbledhjen ka njoftuar se kjo e hënë e 15 janarit do të jetë një ditë proteste.

Shqip.com sjell të gjitha diskutimet mes deputeteve, ku është hedhur edhe ideja e ngujimit në Kuvend.

Ka qenë deputeti Dashnor Sula, i cili ka deklaruar se nëse nuk ka reflektim të shkohet drejt grevës së urisë.

Ndërsa Agron Gjekmarkaj ka thanë se për të janë tre vija të kuqe, integriteti personal, nuk ka ndërmend të sulmojë kurrë ambasadorët e SHBA në Tiranë dhe SPAK-un.

Ndërkohë deputeti tjetër Luan Baçi ka propozuar një rezolutë, ku të qartësohet mbrojtja ndaj kryetarit Berisha dhe sulmi politik që po i bën SPAK.

Përplasjet kanë vijuar edhe mes deputetëve Oerd Bylykbashi me Dhurata Çupit e Saimir Korreshit me Greta Bardelin.

Debatet

Gazment Bardhi: Aksioni ynë në Kuvend do të vazhdojë edhe ditën e hënë, edhe në çdo seancë, derisa të përmbushen kushtet tona. Pra dita e hënë, 15 janar kemi protestë. Mbi formën dhe nëse është momenti për përshkallëzim mund të diskutojmë. Ne kemi shprehur gatishmërinë për zgjidhje, por ka qenë Edi Rama që kërkon eliminimi e opozitës. Këtë e kemi të papranueshme dhe ne duhet të përballemi me këtë realitet. Nga ana tjetër, kemi dy çështje që duhet ti dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. E para ligji special për grabitjen e Portit të Durrësit dhe faljen e pronës publike. E dyta, ligji për tatim fitimin për profesionistët e lirë dhe shtresën e mesme, që parashikohet të paguajnë dyfishin krahasuar me oligarkët. Këtë pabarazi duhet ta godasim në Gjykatë dhe të mbrojmë interesin e 260 mijë qytetarëve. Gjithashtu, dua tju informoj mbi përpjekjet për bashkimin në një front të gjithë opozitës. Me aleatët po punojmë për një konfederatë bashkimi për të gjithë faktorët opozitarë. Të gjithë aleatët që janë në opozitë me Edi Ramën. Bashkë me Flamurin kam takuar Dukën, Mediun dhe Vasilin, ndërkohë që dje jam takuar edhe me Shpëtim Idrizin, që në parim nuk është kundër frontit opozitar por kërkon më shumë detaje sigurisht sesi do funksionojë kjo gjë. Po punojmë për një axhendë të përbashkët opozitare me të gjithë aleatët dhe do ua bëjmë të ditur.

Tomor Alizoti: Ne duhet të bëjmë partinë, duhet të bëjmë mbledhjet në seli, na duhet bashkimi real politik. Pastaj na duhet që secili deputet të shkojë në zonën e vet dhe të takojë qytetarët për problemet e tyre. Ne duhet të kemi një qëndrim si grup parlamentar për Berishën. Unë nuk kam qenë me Sali Berishën, as kam qenë ministër i tij, por duhet të mbrojmë figurat politike të opozitës.

Luan Baçi: Te bëjmë një rezolutë, ku të qartësohet mbrojtja ndaj kryetarit Sali Berisha dhe sulmi politik që po bën SPAK. Dhe ju duhet ta njehni që ai është kryetari jonë. Siç ne kemi njohur Gaz Bardhin si kryetar grupi, duhet njohur Sali Berisha si kryetar partie dhe sigurisht edhe sulmi politik që po i behet.

Gazment Bardhi: Nuk mendoj që ka nevojë për rezoluta. Duhet të merrni me çështjet që i takojnë grupit parlamentar dhe betejës tonë me Edi Ramën. Z. Berisha e ka bërë të qartë që nuk përfshinë grupin parlamentar në këtë çështje.

Bledjon Nallbati: Edhe unë nuk mendoj që e ndihmojmë Sali Berishën me rezoluta. Sali Berishën, PD dhe opozitën e ndihmojmë vetëm duke forcuar partinë dhe duke mundur Edi Ramën. Të tjerat janë servilizma pa vlerë që nuk ndihmojnë askënd. Ne duhet të mendojmë sesi forcohet PD dhe opozita.

Greta Bardeli: Të nderuar kolegë, duhet të dini se baza ka nevojë të na shoh të gjithëve bashkë në terren. Fatmirësisht ato kërkojnë bashkimi dhe kërkojnë të integrohemi të gjithë pavarësisht qëndrimeve që kemi mbajtur. Juve ju kërkon baza.

Saimir Korreshi: Qysh thatë? Mezi po na qasin njerëzit tani? Se jam pak konfuz për sensin e gjësë, çfarë është baza? Ju të gjithë rrini në Tiranë dhe thoni baza. Unë atje rri në Lushnje, në takime me njerëzit jam. Flisni se po bëni negociata, asgjë s’po bëni. Mos na lodhni, flini me Berishën, na sillni propozimin, ata që duan ta firmosin, ta firmosin, nëse jo te shkojnë tek Luli. Hajde bashkohemi, se vetëm ajo mundësi është te ngremë njerezit. Nuk vjen baza dhe nuk na ndjek ne, nese nuk bashkohemi ne.

Ina Zhupa: Grupi jone do duhet qe te ulet edhe në mes vetes dhe me aleatët, në trajtën e federatës që të mund të japim propozimet tona për reformën zgjedhore. Propozimet e Lulzim Bashës i shërbejnë Ramës, mirë apo keq, ai është pozicionuar tashmë. S’mund të themi duam reformë, pa thënë se çfarë kërkojmë nga kjo reformë, kush janë ndryshimet dhe propozimet konkrete. Shqetësimi i dyte lidhet me mos mbylljen në këtë grup, por të nisim punën për programin dhe ekipin që do ju paraqesim shqiptarëve, në më pak se një vit janë zgjedhjet. Nuk vlen më t’ju themi shqiptareve sa keqqeveris dhe sa po shkatërron vendin Rama, se e ndjejnë dhe e dinë ndoshta më mirë se ne, por t’i themi çfarë do ofrojmë ne dhe si do e realizojmë. E shtroj këtu sepse nuk ju konsideroj thjesht si grup parlamentar por si formacion politik, që po bashkohemi, se ndryshe e thoja në kryesi të partisë. Ne duhet të bashkohemi në parti.

Agron Gjekmarkaj: Kam një lutje! Njeriu nga natyra është trim dhe frikacak, xheloz dhe paranojak, te tjetri sheh rrezikun dhe e do sa me të sigurte rrethin. Vetëmbrojtja primitive është instinkt bazik i njeriut. Por këtu duhet te vumë me një minimum respekti për njeri tjetrin. Secili flet per veten nga këndvështrimi i tij. Unë mund të jetoj pa politiken, pa PD dhe pa këtë grup siç PD dhe politika mund te jetojnë fare mire pa mua dhe pa të tjerë ketu. E kam dëshmuar ne jete qe ja dal edhe si individ. Një gjë duhet të jete e qarte, nuk kam kërkuar asgjë nga askush e s’kam ndermen te kërkoj, po ta harroje kushdo se mund të bëjë insinuata e shantazhe këtu. Me mua nuk ndezin fare po fare. Bie dakord me ato që tha Saimiri. Po për mua një gjë ta dijë kushdo ne çdo baze bashkimi apo bashkëpunimi, kam tre vija te kuqe, integritetin personal, nuk kam ndërmend te sulmoj kurrë ambasadoret e SHBA ne Tirane dhe SPAK-un. Do ta gjykoj rast pas rasti si institucion dhe jo organizate kriminale.

Bashkimi është proces i cili ndërtohet mbi disa parime dhe koherenca. Nuk është çështje se ku behën mbledhjet e grupit. Ne jemi në një krize që kërkon ndryshim strategjie. Ne themi këto qe bën qeveria jane te papranueshme, po jane, po ndodhin. Duhet te masim distancën mes konceptit te pare dhe te dytit. Te shohim ku na nxjerr. Çfarë gjuhe duhet te përdorim. Se kemi deficite me gjuhen. Po hyjmë ne vit elektoral, kemi vetëm nje teme apo kemi edhe tema te tjera, argumente, platforma ekip, apo do përqendrohemi vetëm tek arrestimi i Sali Berishes?

Shumë kush mendon qe kjo është nje padrejtësi. Personalisht kam mbajtur qëndrim publik për këtë teme. Po Sali Berisha de fakto është shef i Opozitës dhe ne cdo rast kjo ngjarje është politike, por ne fokusin tone a do kemi vetëm këtë teme apo do tentojmë ti flasim shoqërisë? Per te dale ne baze askush nuk ka ndaluar askënd. Ky miti qe dikush ka njerëz e tjetri s’ka është thjesht presion psikologjik ndaj njeri tjetrit. Po ne raport me njerëzit jemi pak keq te gjithë bashke, se ngjarjet e treguan.

Xhelal Mziu: Grupi Parlamentar i PD, në këto 6 muaj ka bërë opozitë të vërtetë, e ka çuar debatin dhe aksionin politik në standardin që i takon Pozitë-Opozitë dhe jo brenda vetes. Duhet ta vazhdojmë linjën e protestës në seanca por dhe alternimi e saj me aksione të tjera dhe dërgimin e disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese. Nuk unifikohen PD vetëm me pasjen Kryetar grupi të Gaz Bardhin. Jemi e vetmja strukturë politike e certifikuar dhe qytetarët në bazë presin që të unifikohemi në thelb jo mekanikisht. Të kërkohet ofrimi I personaliteteve brenda vendit por dhe diasporë, të bëhet një Kuvend përbashkëta por dhe shprese dhe triumfues . Pastaj të filloj ngritja e strukturës nga baza jo vetëm unifikim por dhe rekrutim personash. Ndërkohë ngelet opsion ngujimi deri greva e urisë nëse përdor maxhoranca Unin. Dhe pastaj protesta, denoncime dhe shpalosje programi për një Shqipëri ndryshe.

Oerd Bylykbashi: Është e vërtetë që Rama s’ka interes për Reformën Zgjedhore dhe ne duhet të përgatitemi për këtë skenarë. Aksioni jonë në parlament na ka dhënë të drejtë në opinion. S’është e vërtetë që grupi parlamentar ka peshën kryesore politike, e ka partia. Çfarë prodhon grupi? Çfarë identiteti ka grupi parlamentar?

Dhurata Çupi: Kjo është e papranueshme Oerd, nëse ka opozitë dhe aksion, kjo është vetëm në saj të grupit parlamentar të PD-së. Mos e bëni qesharake këtë situatë, aktualisht peshë në opozitë, ka grupi parlamentar. Ndërkombëtaret që ju u kërkoni të reagojnë, kanë reaguar vetëm pas nisjes së aksionit tonë.

Dashnor Sula: Së bashku me Bledjonin, Dhuratën dhe Korreshin e kemi diskutuar ashpërsimin e aksionit tonë opozitar. Në duhet të kalojmë në një nivel tjetër tani. Ne jemi që të futemi në ngujim në Kuvendin e Shqipërisë si masë paraprake dhe nëse s’ka reagim, të shkojmë në grevë urie dhe t’I qëndrojmë deri në fund, qoftë edhe të japim jetën aty. Unë jam i gatshëm. Sa i takon një çështje tjetër. Nëse juve doni të mbështesni Sali Berishën, e mbështesni 10 minuta, gjysme ore në darkë, por gjithë ditën duhet të bëni opozitë. Nuk bëhet opozitë vetëm poshtë dritares së Sali Bërishës. Nëse do bëni këtë opozitë, Rama në 2025 merr një numër treshifror deputetësh. Duhet të bëhemi alternativë, jo parti qokash personale.

Flamur Noka: Jam dakord edhe me Bledjonin edhe me Dashin që të këtë një ashpërsim të aksionit tonë në Kuvendin e Shqipërisë. Sa i përket Sali Berishës, ai e ka zgjidhur vetë këtë çështje dhe patjetër që duhet të bëjmë opozitë përgjatë gjithë ditës dhe jo vetëm me protestën pasdite. Siç e përmendi Gazi po bëhet përpjekje për t’u bashkuar fronti opozitar dhe po ecet në këtë drejtim. Partia Demokratike mund të konsiderohet e bashkuar, sa kohë jemi të gjithë një grup dhe të gjithë në një objektiv. Ka vetëm një përjashtim nga bashkimi, dyshja AliBrava. Ata janë të keqpërdorur të Edi Ramës dhe jo opozitar.

Gazment Bardhi: Unë mendoj që ashpërsimi i aksionit opozitar duhet të ndodhë pasi të kemi ezauruar të gjitha fazat dhe mjetet e tjera. Ne kemi shprehur gatishmërinë për zgjidhje dhe duhet të eksplorojmë çdo mundësi në këtë drejtim. Mendoj që ende nuk jemi ne fazën për të kaluar në përshkallëzim. Mendoj që përshkallëzimi duhet të ndodh atëherë kur të jetë djegur çdo mundësi për zgjidhje. E drejta është në anën tonë në këtë moment dhe nuk duhet të bëjmë veprime që tejkalojnë të drejtën tonë. Sa i takon diskutimeve mbi bashkimin e partisë, ne jemi bashkuar në grupin parlamentar, dhe sigurisht do bashkohemi edhe në parti. Por këtë duhet ta bëjmë duke diskutuar hapur me njeri tjetrin, pa i ndërhyrë njëri tjetrit, edhe pse e kuptoj që është një temë që ka emocione. Por diskutimet duhet të jenë racionale, që nxisin bashkimin dhe jo përçarjen.

/Shqip.com