Rozë

Debate, mospajtime, dissa dhe kunja – estrada shqiptare nuk gjen qetësi

Line art illustration of microphones and recorders for journalism symbol
Lajmi me Audio

Artistët e estradës shqiptare jo çdo herë kanë treguar se mbajnë raporte të mira, ani se në publik në shumicën e rasteve u munduan ta fshehin.

Madje ka nga ata që me vite nuk flasin, apo janë ripajtuar pas një kohë të gjatë.

Ka pasur plotë prej tyre që shumë shpesh kanë treguar që dinë të jenë të ashpër dhe kritikues për tjetrin.

Kjo është vërejtur vitin që sapo lamë nga dy artistet më të suksesshme të estradës, Era Istrefi dhe Dafina Zeqiri.

Dyjat shihet se kanë një “luftë virtuale”, ndërsa Era është akuzuar se po kopjon Dafinën.

Dafina postoi një foto me një palë vathë të punuar me perla në rrjetet sociale dhe më pas Era publikoi foton që paralajmëronte këngën me Mozzik.

E në këtë foto, fansat menjëherë vunë re vathët identik sikur ata që kishte Dafina dhe më pas thumbat mes dy këngëtareve të njohura nuk u ndalën.

Në një rast tjetër, Dafina Zeqiri publikoi një foto në InstaStory, me të cilën tregonte për ndryshimin që i kishte bërë pamjes me prerjen e ballukeve.

Nuk vonoi shumë dhe Era bëri lëvizjen e saj. Ajo ndau një mori fotosh, ku dukej po ashtu me balluke.

Mirëpo, mbishkrimi mbi këto foto ishte ajo që mori vëmendjen e fansave.

“Trend bëj, nuk ndjek”- shkroi Era, me të cilin u kuptua se raportet vazhdojnë të mbesin të tensionuara.

“Bye bye” është bashkëpunimi që u lansua para dy vitesh nga Tayna dhe Dafina.

Ky projekt ishte pritur mjaftë mirë, sa që edhe dyshja ndanin miqësi shumë të mirë, por që nuk iu zgjati shumë.

Tayna bëri një veprim që i hodhi benzinë “zjarrit”. Teksa po këndonte këngën në një koncert, Tayna bëri një modifikim në vargun: “Kërkush mo veç Tayna e Dafina”.

Zjarrin e nxiti më shumë Dafina me një video live në ‘Tik Tok’.

“Tayna left the chat (largohet)”. “Më mirë”, ishte kundërpërgjigja e Dafinës.

Tayna po ashtu nuk ka pasur raport të mirë gjatë 2022-s as me reperin gjilanas, Fero.

Në këngën e fundit, ajo thumboi një pjesë të estradës dhe në këtë listë nuk kishte si të mos mungonte Fero.

“I boi senet mirë më ndër, o shoferi kur mi bjen n’mercedes po knon si mero, unë pare boi për çdo ditë, pra saher të han dajak si ….(Fero), ka thënë Tayna, në një pjesë të kësaj kënge.

Por deri më tani, ka munguar një reagim nga Fero.

Me përplasje vazhdojnë të jenë reperi nga Drenica, Don Xhoni dhe Majk.

Shkak janë bërë ‘dissat’ që dyshja kanë bërë për njëri-tjetrit.

Një i fundit ka qenë nga Majku, ku në emisionin “Zemër Luana”, ai u pyet se cili nga këngëtarët e vënë në foto, duhej të mos merreshin me muzikën rep.

Majk nuk hezitoi dhe shtiu me armën me ngjyrë në foton e Don Xhonit, duke treguar se ky i fundit duhet të largohej.

Kjo bëri që përplasja mes tyre të jetë për kohë të gjatë pjesë e diskutimeve dhe të konsiderohej se ka ende tensione mes tyre, ani se ka raportime se dyshja kanë rregulluar raportet.

Dy prej këngëtarëve të këtij zhanri që kanë qëndruar të hatruar mes vete janë Stresi dhe Noizy.

Dyshja pas 12 vjetëve përmes një videoje ‘live’, kanë sqaruar të vërtetën. Në njërën anë Stresi ka folur për Noizyn, duke iu përgjigjur fansave në pyetjet e bëra, gjersa ky i fundit ka folur më në detaje për atë që ka ndodhur gjatë gjithë kësaj periudhe.

“Unë nuk e njof me atë emër që e njihni ju, por i them Rigels Rajkut, ne jemi një për inat të gjithëve. Kur vjen fundi e mban mend çka kemi folur në Drejtori të Policisë. Kur të vijë momenti, do të jemi të gjithë bashkë. Askush nuk mundet të na rrëzojë neve në Shqipëri”, ka thënë Stresi.

Noizy në anën tjetër theksoi se në 12 vjet kanë ndodhur shumë gjëra – megjithëse së bashku me grupin kanë vendosur t’i rregullojnë raportet me palën tjetër.

Ata kanë thyer rekord shikueshmërie, duke grumbulluar kështu rreth 80 mijë shikues.

Armiqësia mes dy reperëve edhe nga konkurrenca në tregun muzikor.

/Shqip.com