Lajme

David Cameron arrin në Shqipëri, Rama publikon pamje nga pritja

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka arritur në Shqipëri, ku është pritur nga Kryeministri Edi Rama.

Rama ka publikuar pamje nga arritja e Cameron, të cilin e ka quajtur mik të çmuar të Ballkanit Perëndimor, “dhe posaçërisht Shqiptarisë”.

“Kryeministria – Kënaqësi të mirëpres Lord David Cameron, Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonëealth-it dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, një mik i çmuar i Ballkanit Perëndimor dhe posaçërisht Shqiptarisë🇦🇱🤝🇬🇧”, ka shkruar Rama.

Përveç me Ramën, Cameron do të zhvillojë takime edhe me ministrin e Jashtëm Igli Hasani, dhe presidentin Bajram Begaj.

Rama dhe Cameron do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Për ta pritur zyrtarin e lartë britanik, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është stolisur me flamuj britanikë dhe shqiptarë, ndërsa në ndërtesën e Universitetit Politeknik është vendosur një banderolë ku shkruhet “Mirë se vini zotëri Cameron”.

Në një deklaratë për mediat britanike para mbërritjes në Shqipëri, Cameron kishte thënë se partneriteti i Britanisë me Shqipërinë po jep rezultat sa i përket luftës kundër migracionit të paligjshëm, që shënoi rënie për 90 % në vitin 2023.

/Shqip.com