Lajme

Daut Haradinaj banor në Prishtinë, garon në Prishtinë, por vaksinën e merr në Deçan

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, duke u vaksinuar

Daut Haradinaj, njëri nga pesë kandidatët potencialë për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, është imunizuar në vendlindje dhe jo në komunën të cilën pretendon ta drejtojë.

Kjo pasi sistemi kompjuterik i qendrës së vaksinimit në Prishtinë ia ka refuzuar aplikimin për termin.

Ndonëse Ligji për Zgjedhjet parasheh që Kandidati për Kryetar të Komunës duhet të ketë qenë për së paku tri vjet banor i komunës në të cilën ai po garon për t’u zgjedhur kryetar, Haradinajt supozohet se është banor i Prishtinës, prandaj është e pakuptueshme se si ndodhi që nuk iu pranua termini në Prishtinë, e në Deçan po.

Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, fajet pse Haradinaj nuk mori dot vaksinën në vendin ku jeton, pra në Prishtinë, i ka Ministria e Shëndetësisë.

Kështu thonë për Gazetën Online Shqip nga AAK kur u pyetën se si Haradinaj mori vaksinën në Deçan dhe jo në kryeqytet.

“Kryetari Haradinaj ka provuar disa herë që të caktojë termin në qendrën e vaksinimit në Prishtinë. Sistemi kompjuterik i kësaj qendre nuk ka funksionuar, duke refuzuar aplikimin e tij për termin. Më pastaj keqmenaxhimi i Ministrisë së Shëndetësisë me vaksina ka shtyrë më tutje mundësinë për vaksinimin e kryetarit”, thonë nga zyra për komunikim e AAK-së.

Për shkak se fushata zgjedhore do të fillojë pas disa ditësh, nga partia thonë se Haradinaj ka aplikuar në Qendrën e Vaksinimit në Deçan, ku sistemi nuk ka vonuar në caktimin e vaksinimit.

“Keqmenaxhimi me sistemin e vaksinimit nga Ministria e Shëndetësisë i ka pamundësuar vaksinimin me kohë, dhe vetëdija për domosdoshmërinë e të qenurit i vaksinuar, na ka shtyrë që të bëjmë zgjidhje alternative”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Ndërrimi i vendit të marrjes së vaksinës nuk lejohet pa ndonjë arsye specifike.

Kështu thonë për redaksinë nga Ministria e Shëndetësisë, teksa kanë sqaruar se “qendra e vaksinimit qytetarit i caktohet në bazë të numrit personal të regjistrit civil (nga platforma e-Kosova që menaxhohet nga ASHI), aty ku ai është regjistruar së pari, nëse nuk ka bërë ndonjë ndryshim të të dhënave”.

“Topi i hedhur” drejt Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, krijoi “një lojë ping-pongu” midis kësaj të fundit dhe ministrisë, meqë nga ASHI thonë se janë një urë lidhëse për qytetarët dhe MSh-në për vaksina, dhe regjistri i vaksinimit menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë.

“Qytetarit automatikisht i shfaqet mundësia të bëjë termin në vendin ku është i regjistruar në regjistër të gjendjes civile. Është çështje automatikisht e rregulluar, ne nuk e menaxhojmë këtë proces. I gjithë regjistri i vaksinimit, kush vaksinohet, ku vaksinohet, kur e merr vaksinën e çfarë vaksine ka marrë, menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë, ata e kanë regjistrin e vaksinimit.

Ne vetëm e krijojmë një lidhje për qytetarët, pra ua mundësojmë t’i lidhim me Ministrinë e Shëndetësisë për vaksina”, thotë për Shqip-in, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, Kujtim Gashi.

Haradinaj të dielën ka publikuar fotografi nga vendi ku është vaksinuar, derisa përgëzoi mantel-bardhët që me javë dhe muaj të tërë po e sfidojnë këtë virus global.

Në fotografitë e bëra publike në llogarinë e tij, është parë edhe drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha.

Berisha në një prononcim për gazetën tha se do të ishte mirë që të ketë njësi mobile në tërë Kosovën, ashtu siç e praktikojnë shtetet e zhvilluara, kur bëhet fjalë për vaksinim. /Shqip.com