Sport Shqiptar

Dardanët zhvilluan lojë kontrolluese, Giresse vëzhgon me vëmendje performancën e lojtarëve

Përfaqësuesja e Kosovës, në përpjekje për t’u përgatitur sa më mirë për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë, ka vazhduar punën me entuziazëm në seancat stërvitore.

Në seancën e sotme, Dardanët e kanë zhvilluar një lojë kontrolluese, ku grupi i futbollistëve është ndarë në dy ekipe. Përkundër reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe fushës së rrëshqitshme, futbollistët kanë treguar përkushtim maksimal dhe kanë shfaqur formë të mirë.

Përzgjedhësi Alain Giresse e ka vëzhguar me vëmendje paraqitjen dhe lëvizjet e futbollistëve, teksa me stafin e tij do ta bëjë edhe videoanalizën e performancës së tyre, në mënyrë që t’u japë udhëzimet e nevojshme për ndeshjen kundër Rumanisë.

Nga afër këtë seancë përgatitore e ka ndjekur edhe presidenti Agim Ademi, duke treguar kësisoj mbështetje dhe inkurajim për ekipin para dy sfidave tejet të rëndësishme.

Stërvitja e radhës e Kosovës është paraparë të zhvillohet të martën në orën 10:30 në Kampin Nacional në Hajvali.

Do theksuar se në prag të dy ndeshjeve të cilat vlerësohen si kruciale për fatin e mëtejmë të këtij cikli kualifikues, të gjithë që janë të përfshirë në Kombëtaren dardane janë duke punuar me vendosmëri e përkushtim për të arritur sukses.

/Shqip.com