Lajme

“Danimarka është vendi me pozicionin më armiqësor ndaj migrantëve brenda BE-së”

Ilustrim.

“Së bashku me Hungarinë Danimarka është vendi me pozicionin më armiqësor ndaj migrantëve brenda Bashkimit Evropian,” kështu deklaroi Catherine Woollard, drejtore e Këshillit Evropian për Refugjatët dhe Mërgimtarët (ECRE).

Këto komente kanë ardhur pas nënshkrimit të marrëveshjes për transferimin e të burgosurve të Danimarkës në Kosovë.

Në  Kosovë, të paraburgosurit në burgun e Gjilanit së shpejti duhet t’i paketojnë gjërat e tyre, raporton fdesouche.com, transmeton Shqip.com.

Autoritetet vendore kosovare kanë rënë dakord, më 20 dhjetor, të lëshojnë me qira 300 qeli për Danimarkën.

Catherine Woollard, drejtore e Këshillit Evropian për Refugjatët dhe Mërgimtarët

Qiraja pesëvjeçare, e rinovueshme një herë, mund të sjellë 210 milionë euro në Prishtinë.

Të burgosurit që Kopenhaga synon t’i dërgojë në Kosovë kanë një profil shumë specifik: janë të huaj nga një vend jashtë Bashkimit Evropian, pa fëmijë në Danimarkë, dënimi i të cilëve shoqërohet me dëbim.

Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hækkerup, ka deklaruar se përmes marrëveshjes për marrjen me qira të burgjeve në Kosovë, synohet që të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë.

“Do të na mungojnë deri në 1000 vende në parkun e burgjeve deri në vitin 2025. Me këtë marrëveshje është rënë dakord që të merren me qira 300 burgje në Kosovë dhe të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë për disa qindra vende ”, ka deklaruar Hækkerup./Shqip.com