Sport Shqiptar

Dallku i kënaqur me fitoren: Dukagjini është rritur

Dukagjini i ka shënuar tri pikë të rëndësishme pas fitores 1:0 ndaj Prishtinës dhe aktualisht gjendet në mesin e tabelës.

Pas ndeshjes trajneri i skuadrës nga Klina, Armend Dallku është shprehur i kënaqur me fitoren dhe lojën e treguar nga futbollistët e tij.

“Jam shumë i kënaqur, pasi kishim kundërshtar direkt sa i përket renditjes në tabelë. Kishim marrë masa pas ndeshjes për Kupë. Po besoj që dikujt po i pengon fakti që Dukagjini po luan mirë, po fiton pikë. Mendoj se duhet të gëzojnë respekt të gjithë për Dukagjinin. Duhet ta rregullojmë fushën, pasi ndryshe është futbolli në fushë sintetike ndryshe natyrale”, ka thënë Dallku.

“Në ‘Zahir Pajaziti’ dhe ‘Fadil Vokrri’ shihen skuadrat, pasi është vështirë t’i bësh ballë ekipit tonë. Kishim raste edhe për ta dyfishuar rezultatin, kurse kundërshtari nuk kishte të njëjtën gjë”, ka shtuar numri një i skuadrës së Dukagjinit.

Ai ka thënë se Dukagjini është rritur shumë prej ardhjes së tij në klub.

“Kemi ardhur me projekt, kemi pranuar të punojmë kur Dukagjini ishte i fundit, ndërsa kemi arritur të bëhemi finalist të Kupës, kemi mbetur në Superligë dhe kemi bërë prurje për të qenë konkurrent në këtë garë”, është shprehur Dallku

Pas kësaj fitoreje, Dukagjini ndodhet në pozitën e pestë me 25 pikë.

/Shqip.com