Ekonomi

Dalin pagat me koeficient të ri, MPB jep sqarime rreth shtesave

Foto ilustruese

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë njoftuar se sot kanë dalë pagat e para sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik.

Lidhur me shtesat, MPB ka njoftuar se shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars, meqë siç thonë po vazhdon procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave nga ana e Komisioneve.

Pra, me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët do të marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt. Ftojmë të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, theksohet se procesi i mbledhjes së të dhënave është duke vazhduar dhe se finalizimi i listave varet nga përfshirja edhe e institucioneve tjera.

“Komisionet për përcaktimin e shtesave të parapara me këtë ligj dhe aktet nënligjore që derivojnë prej tij, tashmë janë themeluar dhe janë duke mbledhur të dhënat nga institucionet përkatëse lidhur me zyrtarët që mund/do të përfitojnë këto shtesa, përfshirë këtu komisionet për shtesën për kushte specifike të punës, shtesën për kushte tregu dhe shtesën për ekspertët.

Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”, theksohet në komunikatën e MPB-së.

/Shqip.com