Lajme

Dalin detajet e reja nga vrasja e shtatzënës në Itali

Bujar Fandaj dyshohet se vrau 26-vjeçaren shtatzënë, Vanessa Ballan në banesën e saj në provincën e Treviso, pasi nuk pranoi dot ndarjen nga viktima.

Një lidhje e shkurtër intime jashtëmartesore që përfundoi vitin e kaluar, iu kthye në kalvar vuajtesh Vanessa Ballan, e cila u përball me shantazh dhe kërcënime për jetën nga 41-vjeçari nga Kosova.

Dyshja raportohet se u njohën në supermarketin ku viktima, nënë e një djali 4-vjeçar punonte si arkëtare. Pas një romance të shkurtër, ajo vendosi të ndahej nga Bujar Fandaj, por 41-vjeçari nisi ta shantazhojë dhe ta kërcënojë me vdekje.

“Nëse nuk kthehesh me mua do të të vras” , “nëse nuk kthehesh do t’i tregoj burrit tënd videot që kemi bërë bashkë”, janë disa prej kërcënimeve që shqiptari i ka bërë 26-vjeçares, e cila ishte 3 muajshe shtatzënë.

Por bashkëshorti i saj Nicola Scapinello nuk dinte asgjë për këtë kërcënime pasi viktima ishte e tmerruar se kjo marrëdhënie kalimtare mund t’i prishte përgjithmonë lidhjen e gjatë të dashurisë me djalin që takoi kur ishte adoleshente.

E gjendur përballë kërcënimeve, ajo denoncoi Bujar Fandajn në komisariat më 26 tetor. Një ditë më pas karabinierët shkuan në banesën e tij dhe i sekuestruan telefonin.

Ndërkohë Vanessa kishte fshirë gjithçka nga telefoni i saj me frikën se mos zbulohej nga bashkëshorti.

Për këtë arsye ndaj 41-vjeçarit nuk ishte caktuar asnjë masë sigurie. Duket se pas denoncimit ai ishte qetësuar, por në fakt kishte përgatitur një plan hakmarrje ndaj saj.

Ai hyri në banesën e saj mëngjesin e së martës, kur bashkëshorti i saj ndodhej në punë dhe djali në çerdhe, duke e goditur 7 herë me thikë në gjoks e bark.

Ishte i shoqi që u përball me skenën tragjike pasi u kthye nga puna duke e gjetur në një pellg me gjak.

Lajmi për shtatzëninë dhe largimin nga puna, i vetmi vend ku mund t’i afrohej Vanessës pa rrezikuar të zbulohej nga Nicola, me siguri e kanë acaruar 41-vjeçarin.

Ai nuk mund të duronte dashurinë e saj për Nikollën, djalin që ajo kishte dhe foshnjën që pritej të vinte në jetë së shpejti.

Megjithatë, askush duket se nuk e dinte këtë sekret të Vanessës, pasi të afërmit që mbërritën tek shtëpisë së saj folën për një “grabitje”.

/Shqip.com