Lajme

Dalin detaje të reja për takimin e Escobar me opozitën

I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sonte do të qëndrojë për vizitë në Prishtinë.

Ai do të takohet me liderët e partive opozitare. Takimi në mes të opozitës dhe Escobar pritet të nis nga ora 18:00.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja e Demokratike e Kosovës do të përfaqësohen nga liderët e tyre ndërsa në mungesë të Ramush Haradinajt, AAK-ja do të përfaqësohet nga Ardian Gjini.

“Kryetari Haradinaj është jashtë vendit. Në takim me z.Escobar, AAK përfaqësohet nga nënkryetari Ardian Gjini”, tha Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së, për Shqip.com.

Kujtojmë se sot, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për Shqip.com konfirmoi se gjatë ditës së nesërme, Escobar do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Këto vizita të diplomatëve të huaja janë shpeshtuar në Ballkanin Perëndimor pasiqë Kosova dhe Serbia pritet që të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian me 18 mars në Ohër.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe atë të Sigurisë, Josep Borrell ka folur për takimin e së shtunës në Ohër në mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Siç thuhet në njoftimin e parlamentit evropian, Borrell ka thënë se takimi i Ohrit është ndryshe për faktin se diskutimi në mes palëve do të përqëndrohet në Aneksin e Zbatimit të marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

/Shqip.com