Lajme

Daka: Ne nuk kishim rol në organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë në të kaluarën

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka deklaruar për Shqip.com se KQZ-ja asnjëherë nuk ka pasur rol në mbarëvajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Sipas saj, zgjedhjet serbe të cilat janë mbajtur në Kosovë kishin “bekimin” e atyre të cilët kanë udhëheq me vendin. 

Daka thotë se KQZ-ja në të kaluarën nuk ka pasur asnjëherë kontakt me asnjë mekanizëm qoftë vendor apo ndërkombëtar në të cilin është kërkuar përfshirja e tyre.

“KQZ-ja nuk ka pasur asnjë rol në këto zgjedhje. Nuk kemi pasur asnjë komunikim me asnjë institucion. Për ne këto zgjedhje nuk kanë ekzistuar.  Ato kanë qenë më shumë çështje të Qeverisë dhe jo çështje të KQZ-së”, ka thënë Daka.

Ajo ka thënë se nuk ka ndonjë opinion nëse Qeveria e Kosovës duhet të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Me thanë të drejtën ato janë çështje me të cilat duhet të merret Qeveria. Dhe ata vendosin nëse duhet lejohen këto zgjedhje dhe aspekte tjera”, ka shtuar ajo.

Ndryshe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrimin sa i përket moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Ajo ka thënë se kosovarët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë ose përmes postës.

Qeveria është zotuar se do të ndërpresë praktikën e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë pasi është anti-kushtetues.   /Shqip.com