Rozë

Çun Lajçi rrëfen historinë e ngjashme me Ramë Lahajn, kur ka kuptuar për vdekjen e nënës së tij

Çun Lajçi dhe Ramë Lahaj,

Nëna e tenorit të famshëm botëror, Ramë Lahaj, ka vdekur ditën e shtunë, shkruan SHQIP.

Ajo ka vdekur disa orë para mbajtjes së koncertit të Ramës në Prishtinë, ku i njëjti ka vazhduar performancën para publikut.

Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur vetë ai para publikut ku tha se nuk kishte mundësi të interpretonte as 1/3 e programit të planifikuar, pas lajmit të trishtë që mori.

Lidhur me këtë, aktori i njohur Çun Lajçi, ka rrëfyer një histori të tillë të përafërt me të Lahajt.

Artisti ka komentuar në një postim të tenorit në Facebook ku tregon se në vitin 1972 derisa po dilte në skenë për të luajtur shfaqjen “Hamleti”, i kishte ardhur lajmi se i ka vdekur nëna.

“Eh more artist! Nuk ma beson, por po ta them se njësoj si ty më vdiq nëna në 1972. Isha duke dalë në skenë për të luajtur Hamletin kur mora lajmin, si ti ‘sot të vdiq nëna’”, ka shkruar ai.

Lajçi më tej, ka treguar se nuk i kishte treguar as kolegëve, meqë salla ishte përplot për të parë shfaqjen dhe ashtu ka vazhduar shfaqjen.

Tenori i mirënjohur, Ramë Lahaj me nënën e tij

“Nuk u tregova as kolegëve, sepse salla ishte përplot shikues. Dola dhe luajta në shfaqje, e pastaj mora rrugë natën për Pejë. Oh sa ta njoh dhimbjen artist, por bëhu i fortë se nënat na ikin gjithmonë pa na e hequr mallin”, shkroi aktori.

Varrimi i nënës së tenorit  është bërë në varrezat e fshatit Lubozhdë të Istogut./SHQIP.com