Lajme

Çudit kryetari i PD në Mat, u bashkohet thirrjeve; ‘Rama në burg, Berisha në burg’

Potestat antiqeveritare të ditëve të fundit, por që kanë shënjestruar edhe opozitën, që po zhvillohen prej 7 ditësh në Tiranë kanë sjellë edhe momente të pazakonta politike. Thirrjet dhe sloganet e qytetarëve godasin si Ramën ashtu edhe Berishën, thuajse me të njëjtin intensitet. Por befasia vjen nga kryetari i Partisë Demokratike në Mat, Avni Doçi i cili duket se iu është bashkuar thirrjeve të protestuesve, të cilët brohorasin njëkohësisht: “Rama në burg, Berisha në burg”.

Në disa postime radhazi në rrjetet sociale, Doçi shpërndan mesazhin se demokratët dhe qytetarët duhet t’i bashkohen turmës që mblidhet çdo natë para Kryeministrisë. Qëndrime konfuze të kryetarit të degës, qëllimisht ose nga moskuptimi i asaj që po ndodh në rrugët e Tiranës përgjatë 1 jave rresht, por thirrjet e tij vijojnë në rrjetet sociale duke mbështetur protestat.

Postimet

Partia jonë është Shqipëria, është Atdheu, është Kombi!!

Sot, më shumë se kurrë, duhet të bashkohemi për interesin më të madh të përbashkët: Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të rinjve, burrave dhe grave, pensionistëve e familjeve shqiptare, të marrin pjesë në protestën para Kryeministrisë.

Kjo nuk është vetëm një protestë politike, por një thirrje qytetare për dinjitet, drejtësi, mirëqenie dhe respekt ndaj çdo shqiptari.

Kur zëri i qytetarëve bashkohet, ai bëhet forcë. Kur qytetarët ngrihen për të drejtat e tyre, demokracia forcohet.
Le të jemi bashkë, me përgjegjësi dhe qytetari, për të treguar se mbi çdo interes tjetër qëndron Shqipëria.

Partia jonë është Shqipëria. Flamuri ynë është flamuri kuqezi. Zëri ynë është zëri i qytetarëve.

Bashkohuni në protestë! Shqipëria ka nevojë për secilin prej nesh.

Postim në Facebook

Reaksion zinxhir kundër qeverisë së Edi Ramës !!

Nga Tirana dhe shumë prej kryeqendrave të botës, Milano, Romë, Londër, Oslo, Washington, New York, shqiptarët dhe diaspora shqiptare po ngrenë zërin dhe po reagojnë fuqishëm në protesta kundër qeverisë së Edi Ramês.

Kjo është një shprehje e qartë e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj mënyrës së qeverisjes dhe gjendjes në të cilën ndodhet vendi pas 13 vitesh të keqqeverisjes, arrogancës dhe pushtetit personal te Edvin Ramës..

Shumica e qytetarëve besojnë se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka humbur mundësi të mëdha zhvillimi, prosperiteti dhe mirqenje, ndërsa emigracioni masiv, varfëria, korrupsioni, braktisja e zonave rurale dhe mungesa e shpresës për të rinjtë janë kthyer në plagë të përditshme të shoqërisë sonë.

Protestat që po zhvillohen brenda dhe jashtë vendit janë një thirrje për ndryshim, për më shumë llogaridhënie, transparencë dhe respekt ndaj qytetarëve. Ato dëshmojnë se shqiptarët nuk janë indiferentë ndaj së ardhmes së vendit dhe se kërkojnë institucione që punojnë në shërbim të interesit publik.

Zëri i qytetarëve nuk mund të injorohet. Kur pakënaqësia shtrihet nga Tirana në diasporën shqiptare anembanë botës, ajo tregon se kërkesa për ndryshim është bërë një kërkesë mbarë kombëtare.

Shqipëria meriton më shumë. Meriton zhvillim, drejtësi, mundësi për të rinjtë, mbështetje për familjet dhe një qeverisje që vendos interesin e qytetarëve mbi çdo interes tjetër.

Me këtë protestë, qytetarët shqiptarë kërkojnë jo vetëm ndryshimin e një qeverie thellêsisht të korruptuar, por edhe mbylljen përfundimtare të tranzicionit 35-vjeçar që ka penguar zhvillimin e plotë të vendit. Ata kërkojnë një Shqipëri normale evropiane, me institucione të forta, ekonomi të zhvilluar, shtet ligjor dhe mundësi të barabarta për çdo qytetar.

Koha për ndryshim është tani. Koha për t’i dhënë fund tranzicionit dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët është tani!

Protestat në kryeqytet po vijojnë prej disa ditësh radhazi, me qytetarët që shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisjes, korrupsionit dhe problemeve ekonomike, ndërsa në tubime janë dëgjuar edhe mesazhe kritike ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake. Rama dhe Berisha janë më të goditurit nga protestuesit përmes thirrjeve, sloganeve dhe pankartave që shpalosen në protestë.

/Shqip.com