Çuçi mbledh grupin PS, zbardhen porositë: Dilni në terren! Nga dje jemi në fushatë
Bledi Çuçi ka mbledhur paraditen e kësaj të hëne grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku mësohet se në fokus të diskutimeve ka qenë axhenda e javës së re në Kuvend.
Burime bëjnë me dije se Çuçi u ka kujtuar deputetëve fjalët e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në Asamblenë e PS-së.
Ai u ka kërkuar që të dalin që të gjithë në terren dhe ta konsiderojnë si kohë fushate elektorale.
“Duhet një prezencë e shtuar fizike në terren sipas zonave tuaja. Konsiderojeni këtë si një periudhë fushate duke nisur që nga dje. Është shumë e rëndësishme që procesin zgjedhor brenda partisë ta ndjekim personalisht. Ka nevojë për ritëm të shtuar për të kapur afatet”, u është drejtuar Çuçi, deputetëve të PS-së
Lidhur me seancën e ditës së enjte, Çuçi foli për projektligjet që janë në rendin e ditës për t’u votuar.
Bëhet fjalë për Projektligjin “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore” dhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore”.
Sa i përket Amnistisë Penale, nuk do të kalojë për votim në Kuvend as këtë javë.
Grupi parlamentar i PS e ka shtyrë këtë draft, teksa paketa do të shqyrtohet edhe njëherë në komisione parlamentare gjatë kësaj jave.
Në javën e ardhshme, amnistia penale pritet që të kalojë për votim në Parlament ku kërkohen 84 vota.
/Shqip.com