Lajme

Çollaku: Takimi i nesërm pritet të sjellë një dramë tjetër të procesit

Ish-ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku
Ish-ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku

Nesër, e shtunë, 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, mbahet takimi i nivelit të lartë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa si nikoqirë do të jenë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i mbështetur nga emisari special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Lidhur me takimin e nesërm në Ohër, Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimeve Evropiane dhe njohës i proceseve integruese, për Klankosova.tv thotë se pritet të sjellë progres në aspektin e negociatave për aneksin e planit zbatues të planit evropian.

Takimi i radhës në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbahet nesër në Ohër, pritet të sjellë progres në aspektin e negociatave për aneksin e planit zbatues të planit evropian, për të cilin palët tashmë janë pajtuar. Sigurisht që pritjet e partnerëve ndërkombëtarë janë që të përmbyllen negociatat për aneksin e kësaj marrëveshje, respektivisht planit zbatues”, ka thënë Çollaku.

Por, në pyetjen se a do të arrihet nesër marrëveshje mes palës së Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se duhet të pritet përfundimi i takimit fillimisht, për të cilin është i sigurt se do të sjellë një dramë tjetër të procesit.

Mbetet që të presim epilogun e takimit të nesërm. Një gjë është e sigurt, takimi i nesërm pritet të prodhojë edhe një dramë tjetër në kuadër të këtij procesi maratonik”, ka thënë Çollaku.

Takimi i fundit i nivelit të lartë për dialogun Kosovë-Serbi për planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve u mbajt më 27 shkurt në Bruksel.

/Shqip.com