Lajme

Çollaku: Kosova të bëhet anëtare e pjesshme e “Open Balkan”

Ish-ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku
Ish-ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku

Ish-ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku, thotë se Kosova duhet të bëhet pjesë e iniciativës rajonale “Open Balkan”, por vetëm pjesërisht.

Kjo do të thotë të respektojë detyrimet vetëm ndaj vendeve që njohin pavarësinë e saj.

“Kosova mund të bëhet anëtare e pjesshme dhe këtu të heqë barrierat kufitare me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi në mënyrë që ndërkombëtarët të mos akuzojnë se me heqjen e barrierave Kosovë-Shqipëri po krijohet ‘Shqipëria e Madhe’”, u shpreh Çollaku.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, tha se negociatat ndodhen në fazën më të vështirë sa i takon arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.

Sipas Çollakut, Qeveria e Albin Kurtit nuk e konsideron prioritet dhe se takimet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq kanë qenë të detyruara nga ndërkombëtarët ndonëse pa asnjë rezultat.

Ai theksoi se në këto bisedime “ka pasur tendencë për të rihapur çështje teknike” dhe se “dialogu ka qenë vetëm sipërfaqësor për qëllime të brendshme politike” duke bërë që “Kosova me këtë qasje ka thelluar izolimin”.

“Fajtor për ngecjen e dialogut janë tre palë, pala e Kosovës, Serbisë dhe është komunitetit ndërkombëtar, që duke parë që Kosova dhe Serbia nuk janë të gatshëm për marrëveshje përfundimtarë nuk kanë përdorur mekanizma për t’i shtyrë”, pohoi ish-ministri Çollaku për Euronewsal.

Mes tjerash, potencoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe pse nuk janë ndërmjetësues zyrtar të dialogut, kanë qenë prezent në çdo marrëveshje të arritur gjatë këtij procesi./SHQIP.com