Lajme

Çmimi i bukës në rritje

Çmimi i produktit më esencial për jetën e qytetarëve siç është buka pritet të ketë ngritje, raporton Radio Evropa e Lirë

Aktualisht një bukë në Kosovë kushton 40-50 centë ndërsa pas ngritjes së çmimit, buka pritet të kushtojë 60 centë.

Por, ditëve të fundit, në disa furra të Gjilanit – qytet në lindje të Kosovës – çmimi i një buke që peshon mbi 500 gramë, është rritur nga 50 në 60 centë.

Kryeinspektorja e Tregut të Kosovës, Lebibe Haliti ka thënë se inspektorati u ka dhënë tri ditë kohë furrtarëve në Gjilan që të arsyetojnë rritjen e çmimit të bukës.

Për Shqip.com, Haliti ka thënë se ky raport është kërkuar nga furrat e bukës për të parë nëse rritja e çmimeve është artificiale apo nga cilët faktor ka ardhur.

“Pasi të dorëzohet dokumentacioni, inspektorati do ta vlerësoj, përndryshe sa i përket peshimit të bukës, buka është peshuar dhe është e ekuilibruar ndërsa, të gjitha aspektet e tjera kanë rezultuar se furrat e bukës janë në përputhje me ligjin përveç në rritjen e çmimit ku edhe jemi fokusuar ne që të kuptojmë më mirë rrethanat e cila mbetet të verifikohet nga inspektorati”, tha Haliti.

Siç thotë Haliti, furrtarët janë arsyetuar se rritja e çmimit të bukës ka rezultuar për shkak të çmimeve të produkteve të tjera si miellit, vajit etj.

Lufta në mes Rusisë dhe Ukrainës, ka shkaktuar një varg ngritje të çmimeve të produkteve kryesisht ushqimore por edhe të derivateve.

Kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka paralajmëruar shtrenjtim e miellit edhe në Kosovë deri në 60 euro për 100 kg.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në muajin maj të këtij viti ka arritur në 12.5 për qind, nga 0.2 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Nga zyra për informim e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë thonë se inspektorët e tregut kanë konfirmuar rritjen e çmimit të bukës në disa qytete, nga 50 në 60 centë.

“Inspektorët e tregut kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të vlerësuar nëse ngritja është pasojë e ngritjes së çmimeve të produkteve të tjera, si: mielli, vaji… apo është ngritje artificiale dhe e pajustifikueshme. Pas vlerësimit do të merren masa, në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Tregtisë, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Aty nuk specifikohet se çfarë masash mund të merren dhe nëse çmimi i bukës do të lirohet./Shqip.com