Lajme Botë

Çmimet e naftës rriten me rritjen e tensioneve Ukrainë-Rusi

Ilustrim
Ilustrim

Çmimet e naftës dhe gazit po rriten nga frika se kriza Ukrainë-Rusi do të ndërpresë furnizimet në të gjithë botën.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, një pikë referimi ndërkombëtar, arriti të martën në nivelin më të lartë të shtatë viteve prej 99.38 dollarë për fuçi.

Rusia urdhëroi trupat në dy rajone në lindje të Ukrainës, pasi i njohu ato si shtete të pavarura.

Në Londër, indeksi i aksioneve FTSE 100 u hap më shumë se 1.4% më i ulët përpara se të rifitonte terren, shkruan BBC, transmeton Shqip.com.

Tregjet aziatike të aksioneve u mbyllën më ulët dhe bursat e SHBA-së u përgatitën për humbje.

Mbretëria e Bashkuar dhe disa aleatë perëndimorë kanë kërcënuar me sanksione ndaj Rusisë, e cila është eksportuesi i dytë më i madh i naftës pas Arabisë Saudite. Rusia është gjithashtu prodhuesi kryesor në botë i gazit natyror.

Rusia ka thënë se trupat e saj do të angazhohen në “ruajtjen e paqes” në republikat e vetëshpallura popullore Donetsk dhe Luhansk.

Por, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se t’i quash ata paqeruajtës është “marrëzi” dhe se Rusia po krijon një pretekst për luftë.

Kriza Ukrainë-Rusi mund të ketë “ndikime thelbësore” në çmimet e naftës, të cilat janë rritur më shumë se 10% që nga fillimi i muajit, tha Sue Trinh nga Manulife Investment Management.

Sanksionet që detyrojnë Rusinë të furnizojë më pak naftë ose gaz natyror do të kenë “ndikim të rëndësishëm në ekonominë globale”, shtoi ajo./SHQIP.com