Ekonomi

Çmimet e naftës po shënojnë rënie, konfirmohet edhe nga Shoqata e Naftëtarëve

Nafta në çmimet e bursës ndërkombëtare është duke shënuar rënie prej disa ditësh. Sipas treguesit BRENT, që është referenc e naftës bruto evropiane, çmimi ka zbritur në 90 dollarë për fuçi, nga 100 dollarë sa ishte në fillim të javës.

Për Shqip.com, ka folur Fadil Berjani, i cili ka thënë se çmimi ka pësuar rënie ditëve të fundit, ku ka përmendur edhe një arsye.

“Po është e vërtetë që kemi rënie të çmimit në berzat ndërkombëtare dhe se kjo është duke reflektuar edhe tek ne. Përndryshe organizata prodhuese OPEC e ka shtuar prodhimin dhe kemi ulje të çmimit”, ka thënë Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Ndërsa sa i përket qëndrueshmërisë së çmimeve, Berjani ka deklaruar se nuk mund të paragjykohet për faktin se ka lëvizje të shpeshta në berzën ndërkombëtare.

Tutje, ai thotë se javëve të fundit shumë kompani kanë punuar edhe me humbje.

“Ne kemi deklaruar se jemi duke e shitur derivatin me humbje, ku çmimi furnizues ka qenë më i lartë se çmimi që e ka përcaktuar ministria. Pra ne kemi punuar me humbje dhe ajo se çka kam deklaruar javën e kaluar ka qenë e vërtetë”, tha për Shqip.com, Fadil Berjani.

Ndryshe Ministria e Industrisë gjatë ditës së sotme ka publikuar edhe çmimet tavan për produktet e naftës.

Çmimi maksimal i i lejuar për shitjen e naftës është 1 euro e 78 centë, benzina 1 euro e 41 centë, derisa gazi 73 centë.

/Shqip.com