Sport Ndërkombëtar

Çmenduri, Messi, Ronaldo dhe Benzema mund të huazohen te Newcastle

Pas Cristiano Ronaldos, i cili i befasoi të gjithë kur vendosi të transferohej në Arabinë Saudite, te Al Nassr, rrugën e tij e ndoqi edhe ish-bashkëlojtari i portugezit te Real Madridi, Karim Benzema, ndërsa me shumë gjasë njëjtë do të veprojë edhe rivali i tij i përjetshëm, Lionel Messi.

Por, “The Sun” në këtë “fenomen” që po e shkaktojnë klubet arabe, e lidh edhe skuadrën angleze, Newcaslte.

Klubi anglez është aktualisht nën pronësinë e Fondit të Investimeve Publike në Arabinë Saudite, të cilët kanë 80 për qind të aksioneve. I njëjti fond, ka aktualisht edhe 75 për qind të aksioneve të Al Itihad, Al Ahli, Al Nasr dhe Al Hilal.

Fakti që bëhet fjalë për të njëjtët pronarë, sjellin hipotezën e një transferimi të mundshëm të Ronaldos, Messit dhe Benzemas në kampionatin anglez. Newcastle mund t’i huazojë futbollistët duke mos pasur shpenzime që thyejnë rregullat e “Fair Play Financiar”, megjithatë ende nuk ka asgjë konkrete.

Aktualisht, bëhet fjalë vetëm për një hipotezë që është e vështirë të ndodhë, por jo e pamundur. Vetë Liga angleze do të kundërshtonte diçka të tillë, por rregullat e lejojnë që huazimet të bëhen.

/Shqip.com